I akuzuari pranon fajësinë se në vitin 2017 e kishte vjedhur një shishe alkooli
I akuzuari Armend Gashi, në shqyrtimin fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka pranuar fajësinë për vjedhje.
Pasi që aktakuza është lexuar nga prokurorja Deshirë Jusaj, i akuzuari Gashi ka thënë se e ndien veten fajtor për këtë vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, Gashi ka kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, me arsyetimin se veprën e ka kryer pasi që ka qenë në gjendje të dehur, dhe nuk ka qenë i vetëdijshëm për pasojat.
Në seancë ka prezantuar edhe i dëmtuari Hajrë Kastrati, pronarë i qendrës tregtare “Kastrati”, i cili nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë, duke deklaruar se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe nuk parashtron kërkesë pasurore juridike.
Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurorja Jusaj, sipas të cilës, një veprim i tillë ka mbështetje në provat e lëndës dhe është bërë në mënyrë vullnetare.
Gjykatësi i çështjes, Lulzim Paçarizi, e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 14 tetor 2019, në ora 13:00.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 mars 2018, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Armend Gashi akuzohet se më 9 nëntor 2017, në qendrën tregtare “Kastrati” në Malishevë, në mënyrë të kundërligjshme merr pasurinë e të dëmtuarit Hajrë Kastrati.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari duke shfrytëzuar situatën e përshtatshme në vendin ku qëndrojnë pijet alkoolike, merr një shishe alkooli, të llojit “Jack Daniels” një litër, dhe del nga qendra tregtare pa e bërë pagesën, dhe të dëmtuarit i shkakton dëm në vlerë të përgjithshme prej 28.95 euro.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje”, nga neni 325, paragraf 2, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi