15-06-2024

I akuzuari se bëri thirrje për të mos votuar në zgjedhjet e 6 tetorit thotë para gjykatësit “Ju jeni qafira”

Të akuzuarit për parandalim të ushtrimit të së drejtës për të votuar, Valon Dervishaj dhe Haki Azemaj, janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Ndërsa, i akuzuari për armëmbajtje pa leje, Muhamet Azemaj është deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Haki Azemaj dhe Valon Dervishaj po akuzohen se kanë bërë thirrje të votuesve për të mos marrë pjesë në votime, duke vendosur afishe me përmbajtje “Kujdes votimi për ligjet e nxjerrura nga njeriu është SHIRK t’i bësh ortak All-llahut”.

Në fillim të seancës, pas pyetjes së gjykatësit Shaqir Zika se a kanë ndonjë vërejtje, i akuzuari Haki Azemaj deklaroi se e mohon ligjin e Kosovës.

“E mohoj shtetin e juj, ligjin e juj, e kam vetëm një ligj unë. E urrej këtë punë. Ju jeni pabesimtarë, për mu jeni qafira dhe qafiri dihet ku shkon në zjarr të xhehnemit”, deklaroi i akuzuari Haki Azemaj.

Ndërsa, në momentin kur gjykatësi Zika ishte duke i marrë të dhënat personale të të akuzuarve, i akuzuari Haki Azemaj refuzoi të ngrihet në këmbë, e më pas gjykatësi Zika, urdhëroi zyrtarët policorë që me forcë ai të ngrihet në këmbë.

E pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, i akuzuari Muhamet Azemaj deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Kurse, i akuzuari Haki Azemaj deklaroi se nuk e pranon fajësinë, ndërsa i akuzuari Dervishaj deklaroi se e pranon që i ka vendosur afishet, duke shtuar se po ta kishte ditur se është e ndaluar nuk do t’i vendoste të njëjtat, mirëpo tha se nuk  e njeh ligjin e Kosovës.

E prokurori Buzhala, tha se vendosja e afisheve është vepër penale.

“Ligji e ka paraparë që është e ndalune me i vendos ato afishe. Kur ta krijoni ju shtetin e juj vendosni ato”, tha prokurori Buzhala.

Gjykatësi Zika ka caktuar 11 shkurtin për mbajtjen e shqyrtimit të dytë gjyqësor, derisa të akuzuarit Muhamet Azemaj ia ka aprovuar pranimin e fajësisë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Haki Azemaj dhe Valon Dervishaj po ngarkohen me veprën penale “parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar”, nga neni 209, paragrafi 2-31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 5 tetor 2019, rreth orës 22:00, në Gjakovë, në mënyrë të kundërligjshme parandalojnë, përkatësisht pengojnë, duke ndikuar në përcaktimin e lirë të votuesve në zgjedhjet nacionale të vitit 2019.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që të pandehurit duke vepruar mes vete pas marrëveshjes paraprake, Haki Azemaj pasi që i shumëzon një numër të konsiderueshëm të afisheve në një shtypshkronjë në Gjakovë, më pas së bashku me të pandehurin Dervishaj fillimisht në “Xhaminë e Sofës”, që gjendet në rrugën “Fehmi Agani”, e më pas në afërsi të shkollës “Zekeria Rexha”, në qendër të qytetit, në çarshinë e vjetër, në rrugën “Konstantin Kristoforidhi”, bëjnë thirrje të votuesve për të mos marrë pjesë në votime, duke vendosur afishe me përmbajtje “Kujdes votimi për ligjet e nxjerrura nga njeriu është SHIRK t’i bësh ortak All-llahut”.

Ndërsa, i akuzuari Muhamet Azemaj po ngarkohet me veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Muhamet Azemaj pasi që më parë ka siguruar e deri më 6 tetor 2019, ka poseduar armë dhe municion pa autorizim, dhe atë një revole “Ekol Special 99” të kalibrit 9mm, me gazë e ridizajnuar si armë zjarri për të shkrepë fishekë me mbushje baruti të kalibirit 7.65mmx17m dhe një karikator të zbrazët, në atë mënyrë që në ditën kritike pas bastisjes së shtëpisë së tij dhe objekteve përcjellëse nga ana e Policisë, e kanë gjetur dhe sekuestruar armën në fjalë. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.