I bie revolja nga brezi në mes të qytetit, përfundon në Polici 73-vjeçari nga Deçani
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur paraditen e së shtunës në qendër të Deçanit, ku një person është shoqëruar në Polici pasi nga brezi i tij ka rënë një armë zjarri.
Sipas informacioneve të siguruara nga burime të besueshme, rasti ka ndodhur më 6 qershor 2026, rreth orës 09:30, teksa i dyshuari Sh. Q. po kalonte rrugën në vendkalimin për këmbësorë në qendër të qytetit.
Burimet bëjnë të ditur se i moshuari është rrëzuar në rrugë dhe gjatë ngritjes nga toka, nga brezi i tij ka rënë një revole e tipit TT, gjë që është vërejtur nga një patrullë policore që ndodhej në afërsi të vendit të ngjarjes.
Zyrtarët policorë e kanë shoqëruar menjëherë të dyshuarin në stacion policor, ku ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Sipas deklarimit të tij, arma i kishte përkitur djalit të tij të ndjerë, dëshmor të luftës.

Policia ka sekuestruar revolen, një karikator dhe nëntë fishekë që ndodheshin në të, ndërsa të gjitha provat materiale janë administruar nga sektori i hetimeve.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. /G.Sinjali


Rasti po hetohet nga hetuesit e Stacionit Policor në Deçan.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

