I dyshuari për vrasjen e ish-gruas dhe vajzës në Gjakovë dërgohet në psikiatri
I dyshuari për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe vajzës së tij, Pjetër Ndrecaj, gjatë së enjtes, është dërguar në qendrën psikiatrike në Prishtinë.
Kështu ka konifmuar për “Betimi për Drejtësi”, prokurori i rastit, Agron Matjani.
“Prokuroria me urdhëresë ka kërkuar dërgimin e tij në qendrën psikiatrike në Prishtinë, pasi që i njëjti kishte kuptuar që edhe vajza e tij kishte vdekur. I dyshuari Pjetër është nisur për në Prishtinë me emergjencë dhe me njësinë speciale”, tha prokurori Matjani.
Ndryshe, Ndrecaj gjatë ditës së sotme derisa po mbahej seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore, në momentin kur prokurori po e lexonte kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Pas kësaj, gjykatësi i rastit e kishte ndërprerë seancën dhe kishte thirr ndihmën e shpejtë për të intervenuar, nga ku ishte dërguar në spitalin rajonal të Gjakovës, “Isa Grezda”.
Mjeku kujdestar në këtë spital, Idriz Alia, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se Ndrecaj gjatë rrugës për në spital kishte pasur dhimbje koke dhe kishte përjetuar halucinacione.
Sipas tij, pas tretmanit mjekësor, gjendja e tij është përmirësuar dhe pas lëshimit nga emergjenca, ai është nga Policia e Kosovës.
Sipas aktvendimit për fillimin e hetimeve, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 7 gusht në ora 21:00, në shtëpinë e vëllezërve të tani të ndjerës, bashkëshortes së tij, Valbona Marku-Ndrecaj, me dashje ka privuar nga jeta, anëtarët e familjes përkatësisht bashkëshorten e tij tani të ndjerë dhe vajzën e tij, të moshës 9 vjeçare.
Aty thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri shkon tek shtëpia e vëllezërve të tani të ndjerës dhe me armën automatike “AK-47”, shtie disa herë në drejtim të tani të ndjerave, duke i privuar nga jeta.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”