I kërkoi 50 mijë euro duke e kërcënuar me publikimin e fotografive, arrestohet në flagrancë i dyshuari në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se kanë arrestuar në flagrancë të pandehurin S.Q., nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Shantazhi” si dhe “Ngacmimi”.
I njëjti, përmes mesazheve në aplikacionin WhatsApp, ka ushtruar presion ndaj të dëmtuarës, duke e kërcënuar me publikimin dhe dërgimin te familjarët të materialeve që, sipas pretendimeve të tij, do t’i cenonin nderin dhe autoritetin. Në këtë mënyrë, i njëjti ka kërkuar dhe ka arritur të sigurojë mjete financiare, në shumën deri në 50 mijë euro, të cilat e dëmtuara dyshohet se i ka siguruar, ndër të tjera, edhe përmes shitjes së arit të marrë nga nëna dhe familjarët e saj, me qëllim përmbushjen e kërkesave të të dyshuarit.

Po ashtu, sipas dyshimeve të administruara deri në këtë fazë të procedurës, i pandehuri dyshohet se ka vazhduar komunikimet e padëshiruara dhe kërcënuese ndaj të dëmtuarës, duke i shkaktuar asaj frikë dhe shqetësim të madh emocional, si për veten ashtu edhe për anëtarët e familjes së saj.
I pandehuri gjendet në ndalim 48 orësh, ndërsa brenda afatit ligjor, Prokuroria do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurën penale.

Po ashtu, lidhur me rastin janë sekuestruar 21 mijë e 100 euro, një (1) veturë dhe dy (2) telefona celularë.
Lexo edhe:
Në pranga për spiunazh, arsimtarit nga Dragashi i gjenden 39 mijë euro dhe 4 telefona


![]()
