28-04-2024

I mituri në Prizren i bën “kërrsh” familjarët, i rrah dhe i kërcënon me vdekje

Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një familje në Prizren, ku një i mitur dyshohet se ka sulmuar fizikisht familjarët e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se për motive ende të panjohura, 16-vjeçari ka sulmuar fizikisht dy familjarët e tij më të mëdhenj në moshë, të cilëve u ka shkaktuar lëndime me anë të goditjeve.

Dy familjarët për të vënë situatën nën kontroll dhe për të pasivizuar të miturin, e kanë lidhur atë me litar, ndërkohë që kanë denoncuar rastin në Polici, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Ata para hetuesve policorë kanë deklaruar se i mituri përpos që i ka sulmuar fizikisht, i ka kërcënuar ata edhe me vdekje duke u thënë se do i mbysë.

Për shkak të lëndimeve të marra nga përleshja mes vete, tre personat e përfshirë në rast kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, teksa i mituri ka përfunduar në prangat e Policisë.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Asnjë koment

Comments are closed.