I propozohet kuvendit ndryshimi i ligjit për zgjedhje, kërkohet ulja e votave preferenciale për kandidatët nga 10 në 5 ose 3
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka dërguar Kuvendit të Kosovës një njoftim zyrtar me rekomandime për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Aktualisht, qytetarët mund të votojnë deri në 10 kandidatë, ndërsa KQZ-ja propozon që ky numër të reduktohet në 5 ose 3.

Sipas KQZ-së, një numër i lartë i votave preferenciale e komplikon procesin e numërimit, e ngadalëson atë dhe rrit mundësinë për gabime dhe manipulime. Po ashtu, kjo paraqet vështirësi edhe për vetë votuesit.
KQZ-ja thekson se ndryshimet janë të nevojshme sidomos në rast të zgjedhjeve të reja të parakohshme, duke marrë parasysh edhe afatet kushtetuese.
Rekomandimet janë miratuar me vendim të KQZ-së dhe tashmë i janë përcjell kuvendit për shqyrtim të mëtejmë.

