Ia kërkon mbi 1 mijë euro për shujtë ditore, Komuna e Malishevës thotë se nuk është nënshkruese e Kontratës Kolektive

Ka përfunduar gjykimi në rastin ku punëtori teknik Asman Kryeziu, po kërkon nga  Drejtoria për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës (DKAE), kompensimin e shujtave ditore ne vlerë prej 1 mijë e 104 euro.

Sipas precizimit të padisë, Kryeziu po kërkon kompensimin e shujtave, për 552 ditë pune. Kërkesën e ka mbështetur në Kontratën Kolektive të Arsimit të Kosovës ku precizohet se për çdo ditë pune punëdhënësi duhet t’i paguajë nga dy euro për ushqim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht në seancën e së mërkurës, përfaqësuesi i paditësit avokati Agron Kryeziu, gjykatës i ka dorëzuar sjellë vërtetimin mbi ditët e punës së paditësit, për periudhën 2019 dhe 2021.

Ndërsa në fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i paditësit avokati Kryeziu, tha se ka prova të mjaftueshme me anë të së cilave vërtetohet baza ligjore e kërkesëpadisë.

“Gjykatës i kemi ofruar prova të mjaftueshme, me të cilën është mbështetur padia, e mbi këto prova gjykatës i propozojmë që ta aprovojë padinë dhe kërkesë padinë si të bazuar”, tha avokati Kryeziu.

Krahas kërkesës për kompensimin e shujtave ditore, avokati Kryeziu ka kërkuar të paguhen edhe shpenzimet procedurale, në shumën e përgjithshme prej 260 euro.

Ndërsa, avokati publik komunal, Mujë Sahitaj ka deklaruar se e konteston padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit si të pabazuar, me komuna nuk është nënshkruese e kontratës kolektive.

Tutje ai kërkon nga gjykata që padinë e paditësit ta refuzojë si të pa bazuar, duke kontestuar edhe shpenzimet e të autorizuarit të paditësit.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 28 korrik 2020, paditësi Asman Kryeziu po kërkon nga Drejtoria Komunale për Arsim dhe Edukim kompensimin e shujtave ditore.

Në padi thuhet se, paditësi është i punësuar në SH.F.M.U “Dëshmorët e Fshatit Bubavec”, në fshatin Bubavec të Komunës së Malishevës, në pozitën e punëtorit teknik me 28 vite përvojë pune.

Bazuar në padi, paditësi kishte parashtruar kërkesë pranë të paditurës për kompensimin e shujtave ditore, por kjo e fundit nuk kishte kthyer përgjigje.

Tutje në padi thuhet se, paditësi bazën e kërkesëpadisë e ka mbështetur në nenin 35 paragrafi 7 i Kontratës Kolektive të Arsimit, ku shkruan se punëdhënësi ua siguron për ushqim nga 2 euro të punësuarve për ditët e punës. Kontrata Kolektive e Arsimit ishte nënshkruar më 2017 nga kryetari i Sindikatës së Bashkuara të Arsimit dhe ministrit të arsimit dhe aty shteti merr obligime ndaj gjithë punëtorëve të arsimit në Kosovë.

Prandaj, paditësi Asman Kryeziu bazuar në Kontratën Kolektive po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e tij të aprovohet në tërësi si e bazuar dhe të detyrohet e paditura që t’ia kompensojë shujtat ditore prej periudhës 18 prill 2017 deri sa të ekzistojnë kushtet ligjore./BetimipërDrejtësi