20-09-2020

Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Vlashnjë të Prizrenit ende nuk ka filluar operimin

Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Vlashnjë të Prizrenit ende nuk është funksionalizuar në tërësi. Zyrtarët e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” kanë theksuar se situata me pandeminë ka penguar futjen në operim të këtij impianti.

Si rrjedhojë ujërat e zeza nga amvisëritë e bizneset e Prizrenit si të patrajtuara vazhdojnë që të derdhen në Lumëbardhin e Prizrenit dhe në Drinin e Bardhë. Sipas monitoruesve të shoqërisë civile, prania e ujërave të zeza në mjedis, përkatësisht në lumenj, ka ndikim mjaft negativ.

Zëdhënësja e KRU “Hidroregjioni Jugor”, Nderona Kurtaj, ka pohuar se impianti i trajtimit të ujërave të zeza në Vlashnje nuk është në operim, shkaku i pandemisë që ka krijuar pengesa të paparashikueshme.

“Kontraktori për dizajnimin dhe ndërtimin e ITUZ-së është kompani spanjolle, prandaj edhe përgjegjës për ekzekutimin e projektit është stafi ndërkombëtar. Deri më tani kanë përfunduar rreth 95 për qind të punimeve.

Aktualisht jemi në fazën e komisionimeve apo testimeve. Kjo fazë e përfshin kryesisht stafin ndërkombëtar dhe për shkak të situatës pandemike stafi ndërkombëtar nuk ka pasur mundësi që të implementojë planin dinamik të komisionimit të paraparë në këtë projekt”, ka thënë Kurtaj.

Ajo ka pranuar se ujërat e zeza që përdoren në amvisëritë dhe bizneset e qytetit aktualisht vazhdojnë të derdhen fillimisht në sistemin e ujërave të zeza dhe si të patrajtuara, pastaj në Lumbardhin e Prizrenit e më pastaj në Drinin e Bardhë.

Me vënien në operim të ITUZ-së, sipas Kurtajt, në këtë fazë do të ofrohen shërbime për 50 mijë banorë të qytetit, derisa në fazën tjetër parashihet që të përfshihen edhe 90 mijë të tjerë, duke mbuluar tërë qytetin në aspektin e trajtimit të ujërave të zeza. Sipas saj, plani dinamik i përditësuar parasheh që projekti të përfundojë në muajin shtator, ashtu që ITUZ-ja të fillojë operimin, porse një gjë e tillë prapëseprapë varet nga situata me pandeminë, që pos tjerash ka krijuar pengesa në lëvizjen e njerëzve dhe qarkullimin e mallrave. “Ndër sfidat aktuale për të përfunduar projekti është situata e krijuar me pandeminë, dhe në marrëveshjen kontraktuale ky rast paraqet forcë madhore, ku dhe rrjedhimisht paraqet pengesë për të përfunduar projektin e ITUZ-së në Vlashnje”, ka shtuar Kurtaj.

Në anën tjetër, Nora Simitçiu nga OJQ “EC Ma Ndryshe” ka bërë të ditur se në Kosovë është bërë praktikë e zakonshme zbarkimi i vëllimeve të mëdha të ujërave të zeza në lumenj./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.