Si çdo të hëne, edhe sot është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit të Drejtorëve, e cila është drejtuar nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha. Gjatë raportimeve të drejtorëve të drejtorive komunale, është bërë e ditur se inspektorati edhe gjatë javës së kaluar ka ndërprerë punimet në tri ndërtime pa leje.
“Ne si inspektorat jemi duke vazhduar me inspektime të rregullta në të gjitha fushat që është përgjegjësi e drejtorisë. Në javën që lamë pas, gjatë inspektimeve, kemi hasur në tri raste të ndërtimeve pa pajisje me leje ndërtimi dhe i kemi ndërprerë këto punime”, ka deklaruar drejtori komunal i inspektoratit Dibran Kastrati, sipas të cilit, nëse punëkryesit, në rast të mos respektimit të ndalesës, do të përballen me ligjin.
Përndryshe, në këtë mbledhje është bërë e ditur se dezinsketimi i planifikuar për ditën e sotme, është ndërprerë për shkak të shiut dhe do të vazhdoj në ditët në vijim, kurse situata epidemiologjike është nën kontroll dhe nuk ka asnjë rast të raportuar me infektim nga virusi i etheve hemorragjike krime kongo.
Drejtoria e Shërbimeve publike, ka bërë të ditur se janë duke vazhduar me mirëmbajtjen e parqeve dhe hapësirave publike, ndërsa do të fillohet edhe me rregullimin e ndriçimit publik, në ato pjesë ku ka defekte.
Gjatë raportimeve të drejtorëve të drejtorive, është bërë e ditur se janë duke vazhduar aktivitetet e tyre të përditshme, sikur që janë duke vazhduar edhe me realizimin e projekteve dhe planifikimeve komunale, dhe deri më tani nuk ka vonesa në realizimin e projekteve.