Inspektorati në Prizren konsideron se Ministria e MPH-së ka vepruar njëanshëm në rastin “Abi”
Pas miratimit të ankesës së kompanisë “Abi”, që anulon vendimin e Komunës së Prizrenit, Drejtoria për Inspektorate në Prizren konsideron se Zyra ligjore e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) në disa raste të fundit, ka vepruar njëanshëm kundrejt vendimeve të kësaj komunës, siç thuhet duke tentuar të amnistojë keqqeverisjen e shkaktuar në dhjetëvjetëshin e fundit, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
“Disa vendime te njëanshme të Zyrës Ligjore të MMPH, në mbrojtje të palëve që kanë bërë shkelje të ligjit, janë të pazbatueshme dhe e dëmtojnë interesin publik. Kjo Zyrë ka intervenuar në disa raste kur Komuna ka tentuar të zbatojë ligjin dhe rendin në sektorin e ndërtimit, duke iu mundësuar palëve që t’i vazhdojnë veprimtaritë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në kumtesën e Drejtorisë së Inspektorave në Prizren.
Dy ditë më parë, Drejtoria e qendrës tregtare “Abi Çarshia” që është në ndërtim e sipër në rrugën “Tirana” në Prizren, ka njoftuar se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka miratuar ankesën e këtij operatori dhe ka anuluar aktvendimin e 31 korrikut 2018 të Drejtorisë së Inspektorateve të Prizrenit. Në anën tjetër, komuna kishte njoftuar për fillimin e rrënimit të një pjese të objektit për tejkalim të lejes.
Në kumtesën e komunës, thuhet se në këtë rast bëhet fjalë për parregullsi, për të cilat opinioni është informuar në vazhdimësi. Para se të merrej vendimi me rrënim nga ana e inspektoratit, janë shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore dhe është vepruar konform ligjit, ndërsa palës i është ofruar revidimi i lejes për pjesën tjetër të objektit.
“Përkundër se në procesverbal, pala është deklaruar se do ta rrënojë vetë pjesën e objektit e cila është ndërtuar në hapësirën e paraparë për rrugë komunale, zyrtarët e kësaj ministrie i kanë dërguar një vendim Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës, i cili e anulon vendimin ku pala ka pranuar vetë të bëjë rrënimin. Që të jetë situata më absurde, ky vendim i zyrtarëve të kësaj ministrie bazohet vetëm në një paragraf të procesverbalit dhe jo të procesverbalit në tërësi”, thuhet në kumtesë.
Me tej, thuhet se nxjerrja nga konteksti i një vendimi të zyrtarëve komunalë dhe mos konsultimi i palës tjetër (Komunës, në këtë rast) para se të merret vendimi, është i pazbatueshëm dhe e dëmton interesin publik. Ky vendim është marrë “sa për t’i hedhur hi syve” opinionit, ngase nuk ka bazë ligjore që mundëson mosveprimin e zyrtarëve komunalë te rasti në fjalë.
“Askush nuk dëshiron të përsëritet rasti ku një objekt mbyll një rrugë publike (sikur rasti në transitin e ri), prandaj jemi të vendosur ta zbatojmë rendin dhe ligjin në gjithë territorin tonë, pa përjashtim. Me këtë rast ftojmë organet e rendit që të fillojnë hetimet ndaj Zyrës Ligjore në MMPH për ndërhyrje në vendimet e Komunës, vendime që lënë për të dyshuar se këto janë vendime interesi” përfundon komunikata./GazetaePrizrenit.net/