19-05-2024

Inspektorati në Prizren largon nga tregu rreth 5 mijë artikuj

Gjatë dy muajve të fundit inspektorët komunal të Prizrenit,  kanë inspektuar 32 qendra tregtare dhe hipermarkete, duke larguar rreth 5 mijë artikuj të ndryshëm me afat të skaduar apo me deklaracion të mangët, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Kështu është raportuar në mbledhjen e sotme kushtuar sigurisë, me theks të veçantë,  atë gjatë festave të fundvitit në komunën e Prizrenit, të thirrur nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Pjesë e takimit ishin përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë dhe përfaqësues të organeve komunale që kanë të bëjnë me çështje të sigurisë, për të diskutuar dhe koordinuar aktivitetet në parandalimin e veprimeve të palejuara.

Referuar komunikatës, si pikat kryesore që mund të jenë problematike për këtë periudhë janë përmendur ndezja e fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike, gjuajtja me armë zjarri, aksidentet në komunikacion dhe vështirësitë rrugore nga kushtet atmosferike.

Në prag të Vitit të Ri është bërë zakon, që nëpër rrugë e sheshe, nga të rinj e fëmijë të hidhen mjete piroteknike. Komuna e Prizrenit ka ndaluar përdorimin e mjeteve piroteknike me rastin e festave të fundvitit, në vendet e hapura publike përkatësisht në tregje, rrugë dhe sheshe. Urdhëresa vlen deri më 15 janar, përveç 31 dhjetorit, nga ora 23:00 – 00.30, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike, sidomos gjatë natës së ndërrimit të moteve, vitet e kaluara, ka pasur disa persona të lënduar. Për më keq, një 14 vjeçar ka humbur jetën, si pasojë e një plumbi ‘qorr’. Gjatë kësaj, zakonisht është shtuar edhe numri i aksidenteve për shkak të një frekuentimi dhe shtimit të lëvizjeve.

Nevojën e furnizimit të shpejtë në prag të festave, mund ta shfrytëzojnë edhe tregtarë të pandërgjegjshëm, për të ekspozuar produkte të skaduara./GazetaePrizrenit.net/

Fotografia e Komuna e Prizrenit

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.