Inspektorët prizrenas kanë njoftuar edhe për një ndërhyrje për të penguar ndërtimet pa leje, kësaj radhe në periferi të qytetit, shkruan “gazetaeprizrenit.net”.
Në njoftim thuhet se mospërfillja e urdhrave të inspektoratit ka çuar në rrënimin edhe të një objekti tjetër pa leje, në rrugën e transitit të ri për Petrovë.
“Drejtoria e Inspektoratit ka qenë e obliguar të ndërmerr masën e fundit pas dy vendimeve për ndërprerje punimesh dhe kërkesës për aplikim për leje ndërtimore, gjë që pronari nuk i ka përfillur”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast janë ftuar të gjithë qytetarët që të respektojnë vendimet e zyrtarëve të Komunës, në mënyrë që Prizreni të krijojë perspektivë për zhvillim. “Nuk ka zhvillim për qytetin me veprime të kundërligjshme”, përfundon njoftimi.
Deri tash sektori për inspektorate në Prizren, disa herë ka njoftuar për ndërprerje të punimeve dhe rrënim në rastet kur mungonte leja përkatëse për ndërtim. Kështu është vepruar si në objekte të banimit individual ashtu edhe në ato afaristo- banesore.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, një ditë më parë, gjatë një debati me qytetarë, ndër tjera përmendi si problem çështjen e ndërtimeve pa leje, ndërsa në këtë kontekst tha se janë dërguar 42 padi në Prokurori.
Haskuka disa herë ka përsëritur se ndërtimet pa leje dhe uzurpimet e hapësirave publike nuk do të lejohen në asnjë rast./gazetaeprizrenit.net/