Inspektorët dhe drejtorët kanë rol kyç në ngritje të cilësisë në arsim
Inspektorati i arsimit dhe drejtorët e shkollave janë faktorët kyç që mund të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.
Kështu është thënë në hapjen e punëtorisë me temën “Inspektorati i arsimit në Kosovë – Gjendja e tanishme dhe zhvillimi i mëtejshëm”, që është organizuar nga MAShT dhe GIZ-i.
Me rastin e hapjes së kësaj punëtorie, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se kjo punëtori është ndër më të rëndësishmet që po mbahet që kur është në krye të këtij dikasteri.
Bytyqi është shprehur se faktor kyç në përmirësimin e cilësisë në arsim janë drejtorët e shkollave dhe Inspektorati arsimor, me ç’rast është zotuar se në këto dy pozita do të vijnë vetëm njerëz që plotësojnë të gjitha kriteret.
Sipas tij, është koha që drejtorët e shkollave të zgjidhen në bazë të meritave dhe jo në baza partiake.
“Roli i inspektorit është duke ndryshuar, deri më tani gjërat në Inspektorat kanë qenë krejt ndryshe, me ligjin e ri kemi krejt një mundësi tjetër. Roli kyç që ne po pretendojmë që inspektori ta ketë, të jetë jo vetëm me mbikëqyrje dhe në ndëshkim të mësimdhënësve, por ta ketë rolin kyç këshillëdhënës. Së bashku me drejtorët të jenë ata garantuesit e cilësisë së arsimit nëpër shkolla”, tha ai.
Sa i përket drejtorëve i pari i Arsimit ka thënë se ata duhet të jenë gardianë të cilësisë së arsimit nëpër shkollat e tyre.
I pyetur rreth zgjedhjes së një inspektori në Gjakovë nga radhët e partisë nga e cila vjen edhe vetë ministri, është shprehur se do të punësohen ata që më të vërtetë e meritojnë.
“Çdo kush mund të jetë inspektor arsimor në rast se i plotëson kriteret. Ne jemi një shtet i vogël secili mund të jetë anëtar i një partie, por për mua do të jetë e rëndësishme atë siç e theksova edhe për drejtorët, siç e thash një mision për inspektoratin që të jemi si një familje. Konsideroj se kjo ishte mesazhi, pra të lihet roli i inspektorit në familjen e inspektorit, se nga është, nga vjen dhe si është, është me rëndësi që t’i plotësojë kriteret”, u shpreh ai.
Kreu i arsimit ka folur edhe për numrin e inspektorëve në Kosovë, ku ai ka thënë se aktualisht është një numër i vogël i inspektorëve, ku sipas tij 54 inspektorë nuk janë të mjaftueshëm. Megjithatë, ai u shpreh i bindur se me ligjin e ri për Inspektoratin ky numër do të rritet edhe për 20.
Një temë tjetër për të cilën ka folur i pari i Arsimit është ajo e trajnimit të mësimdhënësve, ku ai tha se deri më tani ka pasur trajnime të përgjithshme, por sipas tij kjo do të përfundojë.
“Asnjëherë nuk është bërë një analizë sa kanë nevojë mësimdhënësit të trajnohen, për cilat fusha kanë më shumë nevojë dhe asnjëherë nuk është bërë një analizë tjetër sa kanë përfituar mësimdhënësit nga trajnimet e caktuara. Tani me ndihmën e Inspektoratit, me ndihmën e drejtorëve të shkollave do të identifikohen nevojat e mësimdhënësve, ku kanë nevojë të trajnohen dhe ky trajnim do të jetë në bazë të shkollave, mund të jetë në bazë të komunave, cilat janë nevojat dhe jo në tërësi të kemi të njëjtin trajnim. Ne do të jemi shumë konkret, është kjo nevojë për mësimdhënësit për këtë do ta bëjmë trajnimin, do të jetë një trajnim shumë i kontrolluar. Kemi kaluar nga trajnimet që ka bërë kush ka pasur dëshirë, natyrisht që është marrë një licencë, por nuk ka pasur një koherencë se çfarë lloj trajnimi janë duke u bërë edhe sot bëhen trajnime dhe nuk e dihet nuk ka një grumbullim te informatave se çfarë lloj trajnimi janë duke u bërë. Ne këtë do ta bëjmë të kontrolluar, do t’i kalojmë në Fakultetin e Edukimit, sepse e ka një rol shumë të rëndësishëm”, tha Bytyqi.
Ndërsa, nga GIZ ka folur Hans Hermann, i cili ka vlerësuar se Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka arritur një sukses të madh.
Ai u shpreh se Kosova edhe tani është duke shkuar në rrugën e duhur.
Ai është shprehur se shteti gjerman është i kënaqur me Kosovën, sa i përket adresimit të mjeteve financiare që ky shtet jep për çështjen e arsimit në Kosovë./koha.net