Inspektori i akuzuar thotë se s’ndërmori asnjë veprim për rastin që ngarkohet dhe s’ishte në dijeni se ka pasur tejkalim të lejes ndërtimore
I akuzuari Nexhmedin Musliu, inspektor i ndërtimit në Prizren, deklaroi se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe se nuk ka qenë në dijeni se objekti i ndërtuar në zonën e ndërtimit “Qylhan”, ka pasur tejkalim të lejes ndërtimore.
Këtë deklarim, Musliu e ka bërë të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku po akuzohet se nuk ka ndërmarrë veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Musliu ka treguar se nga matjet në terren, ka rezultuar se dimensionet e objektit të ndërtuar nuk janë përputhur me ato të lëshuara me leje ndërtimore, e që sipas tij që nga fillimi nuk është respektuar leja ndërtimore.
Ai ka treguar se inspektimet në objekt janë bërë pas përfundimit të objektit nga ana e ish-inspektorit, ku ka qenë e vendosur edhe pllaka e fundit e katit të tretë.
Sipas tij, ish-inspektori i ndërtimit Veron Alija, ka sugjeruar që investitori të pajiset me leje shtesë e jo me aktvendim për rrënim vullnetar ose rrënim me dhunë.
I akuzuari Musliu tha se nuk ka qenë në dijeni se për këtë objekt është parashtruar kërkesë për leje shtesë, e për këtë tha se investitori dhe mbikëqyrësi ka pasur për obligim ta njoftojnë atë.
Tutje, ai ka thënë se një kohë ka qenë i transferuar në Drejtorinë e Arsimit dhe se nuk ka mundur të dijë se çfarë tejkalime ka në terren, se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe se këtë rast e ka kuptuar pas ngritjes së aktakuzës.
Më pas, me kërkesë të palëve për përgatitje të fjalës përfundimtare, seanca e sotme është ndërprerë, kurse të radhës kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, e caktoi të mbahet më 17 mars 2023.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ai akuzohet se prej 21 nëntorit 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime, i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.