29-04-2024

Hasi, krahina e shumë personaliteteve kombëtare

Shkruan: Qazim Morina

Ndonëse nuk është përcaktuar qartë prejardhja e emrit të krahinës së Hasit,  studiuesi i gjuhësisë dhe i albanologjisë, Dr. Eqrem Çabej, duke zbërthyer etimologjinë e kësaj fjale, ndër të tjera nxjerr se “hasi” nënkupton Kryengritës, i pabindur, i pashtruar. Sipas tij, një gjë të tillë e pohojnë edhe albanologët Pedersen, por edhe Lotti e Lambertzi, që e nxjerrin me kuptim turk, që do të thotë rebel, kryengritës.

Emërtimi Has del në pah në shek. XVI, përkatësisht në një dokument të vitit 1570. Hasi njihej edhe me emrin Shullaa, që në latinisht do të thotë Vendi i thatë.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Vendasit, emërtimin e ndërlidhin me traditat dhe zakonet e kësaj zone, por edhe për besën dhe fisnikërinë e përhershme, që vazhdon të ekzistojë tek hasjanët. Disa e ndërlidhin me kuptimin Has – vërtetësi, origjinalitet etj.

Krahina e Hasit i përket Dardanisë së lashtë. Nga ky lokalitet e kanë prejardhjen shumë patriotë dhe intelektualë të vjetër. Një ndër hipotezat mbi origjinën e Skënderbeut, thotë se ai ishte nga Hasi.

Prej këndej mirëfilli janë edhe: Pal Hasi, dinastia Bogdani (Ndre, Pjetër, Gjon e Lukë Bogdani), Pjetër Mazrreku – arqipeshkv i Tivarit (1586-1637) e të tjerë.

Pjetër Bogdani (1630-1689) ishte autor i mirënjohur i “Çetës së Profetëve”, ndër të parat vepra origjinale të letërsisë shqipe.

Roli dhe kontributi i Dervish Salihut nga Lugishta dhe i Teqesë së tij, ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm, sidomos gjatë kohës së Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LSHP), por edhe pas saj.

Sipas Shefik Osmanit, del se në Arkivin Qendror të Republikës së Shqipërisë (Kolekcioni i fondit personal i Jakut të Tushit Mark Krajës, alias Jak Specit, Dosja numër 163, ekziston “Abetarja e Zymit, 20 maj 1900”, që ka 80 faqe. Supozohet se kjo Abetare është litografuar (shtypur) pikërisht në Zym.

Në Has ka vepruar dhe hartuesi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, Shtjefën Gjeçovi (ndonjëherë botonte me pseudonimin “L’keni i Hasit”).

Referuar informacioneve, Sali Nuhiaj nga Gjonaj ishte bashkëpunëtor i Bajram Currit.

Xhafer Deva, i emëruar ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë (1944), ishte me prejardhje familjare nga Deva e Hasit. Sipas studiueseve, ai drejtoi rezistencën kundër futjes në Kosovë të trupave partizane jugosllave.


Xhafer Deva

Oficeri kombëtar, Hajdar Maloku ( Planeja) që mbaroi Akademinë ushtarake në Itali, jo vetëm se iu bashkëngjit që në fillim Organizatës së njohur me karakter të pastër kombëtar – Organizata Nacional Demokratike Shqiptare (1943), e cila luftoi deri në fund për mbrojtjen dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, me shtetin amë Shqipërinë, por ai ishte edhe njëri nga themeluesit e lëvizjes, si dhe kryetar i ONDSH-së për Prizren e rrethinë. Ai luftonte bashkë me të vëllain Miftarin, Sefë Sadik Durakun nga fshati Demjan, Ahmet Halitin nga Kushnini, Tafë Përvizajn nga Krajku e shumë të tjerë.

Në fokus të këtij shkrimi, do të jenë kryesisht personalitet nga Hasi i Kosovës, pasi në Shqipëri, Hasi është Bashki, me qendër në Krumë dhe ka disa figura të rëndësishme.

Një kontribut për të mbajtur frymën kombëtare në zonat kufitare e kishte dhënë Hajdar (Selim) Morina nga Kushnini, ish-sekretar i Komunës së Hasit në Rogovë (vitet 1960-ta). Për shkak të raporteve me patriotë nga Hasi i Shqipërisë, mospajtimit ndaj formave represive të pushtetit serb, sidomos aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve në Kosovë (1955-1956), si dhe formës së egër të mbledhjes së tatimeve (Otkupit), Hajdari ishte burgosur e dënuar me 6 vjet burgim të rëndë, babai i tij me 3 vjet, ndërsa gruaja e axhës, Fatimja me 9 muaj.

Në kohën kur nga ligjet e mentaliteti i kohës, femra po vuante izolimin shtëpiak, pos meshkujve nga Hasi dolën edhe aktore të mirënjohura, si Katarina Josipi, e quajtur “primadona e teatrit shqiptar”, dhe rrezatuesja me personalitet autentik, Leze Qena.

Katarina Josipi vdiq mu në ditën e Shën Katarinës
Katarina Dulaj-Josipi

Krahas tyre janë edhe artistët Muharrem e Xhevat Qena.

Shkrimtari, Anton Pashku është vlerësuar si gjeniu i modernitetit në letërsi.

Në fund të vitit 1989, Isen Kajdomçaj u zgjodh kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës. Din Kajdomçaj ishte anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, ndër teknologët e parë, njëherësh drejtor i “AgroKosovës”.

Imer Morina (i ndjerë) nga Kushnini, një prej veterinarëve të parë të Kosovës (kreu studimet universitare në Zagreb,1974), ndërsa nga viti 1976 ishte drejtor i Stacionit të Veterinarisë në Prishtinë, pozitë që e mbajti deri në pensionimin e tij.

Pas çlirimit të Kosovës, Bedrush Qollaku (tashmë i ndjerë) është i pari hasjan-deputet i Parlamentit.

Dr. Selman Muçaj (urolog), ka qenë drejtor i Spitalit rajonal të Prizrenit.

1000 Lekë
Pjetër Bogdani, në kartëmonedhën e Shqipërisë

Nga Hasi janë edhe dy rektorë: Alush Musaj (Universiteti i Mitrovicës) dhe Ismet Temaj (Universiteti i Prizrenit).

Hasjanët tashmë kanë edhe shumë kuadro të dëshmuara intelektualë, doktorë shkencash, si Prof. dr. Kasum Letaj, pastaj profesorë, mjekë, e deri te ligjërues universitetesh.

Dr. Nexhat Çoçaj,  antropolog, shkrimtar, gazetar, që ka ushtruar edhe pozita të ndryshme në Komunën e Prizrenit, ka një numër botimesh të zhanreve të ndryshme. Për veprimtari publicistike dhe letrare dallohet edhe Prof. Besim Muhadri, si dhe Frrok Kristaj, studiues dhe promovues i trashëgimisë kulturore e shpirtërore.


Dita e Pajtimit të gjaqeve, Gjonaj ( maj 1990)

Prof. Dr. med. Diamant Thaçi është profesor dhe drejtor – Qendra Gjithëpërfshirëse për Mjekësinë e Inflamacionit, Universiteti Luebeck në Gjermani.

Deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj- Perlaskaj është nga Zymi.

Referuar shifrave, rezulton se i gjithë Hasi ka një shtrirje territoriale prej 745 km² dhe me një popullsi prej rreth 60 mijë banorësh, që do të thotë një ndër krahinat me popullsinë më të madhe në verilindje.

Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona, njerëz në këmbë, ambiente të jashtme dhe turmë
Vendosja e shtatores së Bogdanit në Krumë ( prill 2022)

Hasjanët kontribuuan në çdo kohë, sikurse edhe për mbijetesën e arsimit shqip, gjatë viteve të pushtimit serb, si dhe në luftën e UÇK-së. Drejtuesit e UÇK-së e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm kontributin e Hasit në luftën çlirimtare.

Shumë djem nga Hasi, përfshirë edhe ata nga kurbeti, si dhe shumë të tjerë nga Hasi përtej Pashtrikut (Shqipëri) iu bashkuan luftës çlirimtare, ndërsa kanë edhe dëshmorë në Kosharen legjendare. Në këtë kontekst, Sokol Poga e Qenë Qenaj (dëshmor), kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.

Deshmoret ne rogov te hasit

Djem të kësaj ane janë shquar edhe në frontet e luftës në Kroaci e Bosnje, ndërsa kanë edhe statusin e veteranit.

Në ekipin e kombëtares në futboll kontribuuan: Rashkaj, Përdedaj e Pnishi, ndërsa Albon Pervizaj, gjithnjë e më shumë po shënon suksese në boks. Mesfushori me origjinë nga Gjonaj, Elvis Rexhbeqaj luan në Bundesligë (Augsburg).

Anel Rashkaj: Do të jetë vështirë kundër çekëve dhe anglezëve, por ne kemi treguar paraqitje të mira - Telegrafi

Kjo anë pati dhe ka, edhe këngëtarë e rapsodë të mirënjohur, si Nazmije Totaj-Hoxha, Shqipe Kastrati, pastaj “mbretin”e folklorit Augustin Uka nga Doli, rapsodin Isen Dida nga Kruma. Do theksuar se me këngën kushtuar Skënderbeut, të Islam Hasit nga Demjani, për një kohë në vitet 1980-ta, e fillonte programin radioja kombëtare, Radio-Tirana.

Aktualisht pjesë e pandashme në ceremonitë e gëzimit të shumicës së familjeve shqiptare janë edhe këngët e Bajram Gigollit, dhe të disa kolegëve të tij.

Mund të jetë një imazh i 1 person, në këmbë dhe ambiente të jashtme

Treva e Hasit njihet si thesar për historinë, traditën e lashtë, ruajtjen e dokeve. Veshja e grave është ndër më unikalet, një vlerë e trashëgimisë kombëtare.

Derisa në Zym mbahet manifestimi i Shoqatës së  Shkrimtarëve “Takimet e Gjeçovit”, në Gjonaj për çdo vit organizohet manifestimi tashmë tradicional “Hasi Jehon”.

Zym, Thaçi merr pjesë në “Takimet e Gjeçovit” - Klan Kosova

Shoqata e bukëpjekësve “Hasi”në Zagreb ka qenë donatori i dytë pas shqiptarëve të Amerikës, që ka kontribuar në fondet për formimin e shtetit të Kosovës.

Hasjanët tashmë përbëjnë një pjesë të madhe të popullatës në komunën e Prizrenit e të Gjakovës. Ata konsiderohen si forcë kryesore ekonomike në Prizren.

Shumica prej banorëve të kësaj ane, janë treguar dhe po dëshmohen si njerëz të suksesshëm, që mund të udhëheqin biznese (piceri-furra-byrektore, restorante), jo vetëm në Europë, por edhe në shtete e kontinente të tjera (Amerikë, Australi, Kanada, etj).

Për t’u lavdëruar është ajo se të rinjtë e kësaj ane janë dëshmuar si shembull për punë të ndershme edhe nëpër botë. Ata madje e kanë përmirësuar edhe perceptimin për shqiptarët, si njerëz punëtorë e të edukuar. Mbështetur në raportet policore, Hasi është ndër rajonet më të qeta.

Hasi ka qenë një nga krahinat shqiptare ku kanë gjetur strehë e mikpritje luftëtarë, kryengritës të ndryshëm, udhëheqës çetash etj., Këtë e tregojnë edhe dhjetëra këngë, në të cilat në mes tjerash thuhet: “Kush luftoi për shiptari, n’Has ka gjet besë e burrni”.

/GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.