24-11-2024

Inspektori i ndërtimit në Prizren kërkon hedhjen e aktakuzës për mos rrënim të objekteve pa leje

Inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Enver Bytyqi, ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza ndaj tij, e cila e ngarkon atë me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Në seancën e shqyrtimit të dytë që është mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Bytyqi, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Arben Shala, ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të hudhet poshtë, si e pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Arben Shala, ka thënë se qëndron pranë kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave të parashtruar me shkrim.

Ai ka deklaruar se i akuzuari detyrat e tij si inspektor i ka kryer me të gjitha kompetencat dhe obligimet që i takojnë.

“Kërkoj që i mbrojturi im Enver Bytyqi të konsiderohet i pafajshëm për veprimet e tij, ngase kjo aktakuzë është e ngritur me ligjin e vjetër të ndërtimit, i cili është i shfuqizuar me hyrjen në fuqi të ligjit të ri nr.04/L-110 i shpallur nga presidenti me datë 19 qershor 2012”, ka thënë ai.

Pas udhëzimeve nga gjykatësja Raima Elezi, mbi të drejtat e tij dhe njoftimit se në çdo fazë të procedurës mund të deklarohet rreth fajësisë, i akuzuari Bytyqi ka deklaruar se nuk e ndien veten fajtor.

Ai ka thënë se prokuroria e kishte ngritur aktakuzën për 13 kate të objektit, duke shtuar se ai nuk është përgjegjës pasi që ka qenë i suspenduar për një rast tjetër.

“Në aktakuzë akuzohem për 13 kate të objektit, ndërsa unë kur kam pranuar si teren podrumet kanë qenë të ndërtuara si dhe dy katet e fundit që janë ndërtu unë nuk kam qen në punë, pasi që kam qenë i suspenduar me vendim të kryetarit të komunës prej datës 29 shtator 2017”, ka thënë i akuzuari Bytyqi.

Ai ka deklaruar se ka punuar sipas ligjit dhe ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe se për gjithçka kanë qenë të informuar të gjitha institucionet komunale.

“Në aktakuzë është konstatuar se unë kam përpiluar vetëm një procesverbal, në realitet unë kam vepruar sipas ligjit të ndërtimit dhe kam ndërmarr të gjitha veprimet sa i përket katit të parë e deri në katin e gjashtë. Për veprimet e mia kanë qenë të njoftuar të gjitha institucionet komunale, të cilat kanë pas obligim të iniciojnë procedurë ndaj meje për mos veprim”, ka deklaruar ai.

Nga ana tjetër, prokurori Genc Nixha ka thënë se në këtë fazë të procedurës i propozon gjykatës që kërkesa për hudhjen e aktakuzës të refuzohet si e pabazuar.

Gjykatësja Raima Elezi, ka thënë se për kërkesën e palëve do të marrë vendim me shkrim.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 16 maj 2019, i akuzuari Bytyqi ishte deklaruar i pafajshëm.

Për këtë rast, ishte i akuzuar edhe investitori Feim Hamiti, për veprën penale heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave, i cili në seancën fillestare kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me shtatë mijë euro gjobë.

Prokurorisë Themelore Prizren, për këtë rast ka ngritur aktakuzë, më 19 prill 2019, ndaj të pandehuri Enver Bytyqi, duke e ngarkuar atë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bytyqi, gjatë periudhës kohore 2016-2017, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor në lagjen “Jeimahall”, të investitorit NTSH “Shigjeta e Pashtrikut” me pronar Feim Hamiti, me qëllim që të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbalit duke mos sjell konkluzionin për rrënimin e objektit pa leje, kështu ka mundësuar dobi pasurore për investitorin Feim Hamiti. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.