24-11-2024

Inspektori i ndërtimit në Prizren kërkon të hudhet poshtë aktakuza për mos rrënim të objekteve pa leje

Inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Bashkim Krasniqi, ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza ndaj tij, e cila e ngarkon atë me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Në seancën e shqyrtimit të dytë që është mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Krasniqi, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Driton Shehu, ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të hudhet poshtë, si e pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Shehu, ka thënë se qëndron pranë kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave të parashtruar me shkrim më 28 maj 2019.

Nga ana tjetër, prokurori i rastit, Metush Biraj pas leximit të kërkesës për hudhjen e aktakuzës të paraqitur nga avokati mbrojtës, ka deklaruar se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit, pasi që sipas tij, provat janë grumbulluar në mënyrë ligjore.

Ai ka kërkuar që aktakuza të pranohet, duke i propozuar gjykatës që të caktohet seanca e shqyrtimit kryesor në këtë rast.

Gjykatësja Ajser Skenderi, ka thënë se për kërkesën e palëve do të marrë vendim me shkrim brenda afatit ligjor.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 25 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Bashkim Krasniqi, të cilin e ngarkon se në cilësinë e personit zyrtar, inspektor i ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit të fundit të lëshuar më 20 tetor 2014, nga Drejtoria e Inspektorateve në Prizren, adresuar investitorit Xhavit Bytyçi, pronar i kompleksit hotelier – shtëpizave nga konstruksioni i drurit “Crazy Love” në Prizren, i bazuar në konkluzionin mbi lejimin e ekzekutimit të dhunshëm të lëshuar më 2 maj 2014, nuk e ka bërë ekzekutimin më 24 tetor 2014 edhe pas kësaj date, edhe pse i njëjti ka qenë i detyruar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.