Inspektori i ndërtimit në Prizren kërkon të hudhet poshtë aktakuza për mos rrënim të objekteve pa leje
Inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu, ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza ndaj tij, e cila e ngarkon atë me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Në seancën e shqyrtimit të dytë që është mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Musliu, përmes mbrojtësve të tij, avokatëve Blend dhe Gent Gjini, ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të hudhet poshtë, si e pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Blend Gjini, ka thënë se qëndron pranë kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave të parashtruar me shkrim.
Ai tha se i akuzuari detyrat e tij si inspektor i ka kryer me të gjitha kompetencat dhe obligimet që i takojnë dhe është munduar që të punojë sa më mirë.
“Kërkoj që i mbrojturi im Nexhmedin Musliu të konsiderohet i pafajshëm për veprimet e tij, ngase veprimet e tij si inspektor i ka kryer, e rrëzimi i objektit për të cilin akuzohet është kompetencë ekskluzive e kryeinspektorit”, tha avokati Gjini.
Nga ana tjetër, prokurori i rastit, Metush Biraj pas leximit të kërkesës për hudhjen e aktakuzës të paraqitur nga avokati mbrojtës, ka deklaruar se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit.
Ai ka kërkuar që aktakuza të pranohet, pasi që sipas tij, provat janë mbledhur në mënyrë të ligjshme dhe aktakuza është ngritur mbi dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari Musliu ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Gjykatësi Artan Serjani, ka thënë se për kërkesën e palëve do të marrë vendim me shkrim.
Ndryshe, në seancë fillestare të mbajtur më 26 prill 2019, i akuzuari Musliu ishte deklaruar i pafajshëm.
Prokuroria Themelore në Prizren, për këtë rast më 27 mars 2019, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Nexhmedin Musliu, duke e ngarkuar atë se në cilësinë e personit zyrtar, inspektor i ndërtimit në Drejtorinë e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Musliu, si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.
Gjithnjë sipas aktit akuzues, i pandehuri në vazhdimësi vetëm formalisht si në aktvendimin e Inspektoratit të Ndërtimtarisë – Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, të datës 22 tetor 2013, e pastaj si në procesverbalin e datës 24 tetor 2013, me të cilat urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi, e pastaj, me procesverbalin e datës 5 nëntor 2013, me te cilin urdhëron pajisjen me leje ndërtimi të Objektit-Sallonit “Arbëria”, më pas me procesverbalin e datës 9 korrik 2015, me të cilin urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në kompleksin e ndërtimeve “Barut-hane”, në Prizren, po ashtu në aktvendimin e datës 11 prill 2017, me të cilën urdhëron ndërprerjen e punimeve ndërtimore pa leje në objektin “Crystal Palace”, dhe si në aktvendimin e datës 11 maj 2017, me të cilin urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në Objektin për prodhimin e peletit, në lagjen “Arbanë” të Prizrenit.
Me këtë, sipas aktakuzës, ai nuk merr masa pasuese sipas aktvendimeve për rrënime vullnetare dhe përfundimisht konkluzione për rrënime të detyrueshme të objekteve të ndërtuara pa leje, ku njëherësh i shkaktohet dëm material edhe Komunës së Prizrenit.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragraf 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndryshe, për këtë rast, Prokuroria Themelore në Prizren, më 28 gusht 2018, kishte filluar hetime edhe ndaj ish-drejtorit të Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Bujar Hasani, si dhe më 9 tetor 2018, në aktvendimin për zgjerimin e hetimeve ishte pjesë edhe zëvendësministri i Administratës Publike, Bujar Nerjovaj.
Mirëpo, sipas aktvendimit të 27 marsit 2019, ishin pushuar hetimet ndaj Bujar Hasanit dhe Bujar Nerjovajt, me arsyetimin se nga provat e mbledhura gjatë fazës hetimore, sipas prokurorisë, nuk është provuar dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e kanë kryer veprën për të cilën dyshohej. /Betimipërdrejtësi