Institucionet ia huqin, fusin serbë në listën e veteranëve të luftës
Në statistikat e Mirëqenies Sociale të nxjerra nga institucionet kosovare, thuhej se edhe serbët fitojnë nga pensionet e veteranëve dhe invalidëve të luftës.
Kjo krijoi huti pasi në shpjegimet e këtyre grafikonëve përmendeshin edhe serbët në kuadër të minoriteteve që kanë kontribuar në luftë.
“Në të tjerët janë të përfshirë numri i serbëve dhe nacionaliteteve të tjera joshqiptare që jetojnë në Kosovë dhe që përfitojnë nga skema e pensioneve të veteraneve të luftës”, shkruan në raport.
Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Ministra e Mirëqënies Sociale kanë treguar për Gazetën Express se regjistrimi i veteranëve të nacionalitetit serb në statistikat e vitit 2018 ka qenë vetëm një gabim teknik dhe se nuk ka serbë në listat e veteranëve.
“Burim i te dhënave ne këtë raport është Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe ata janë deklaruar qe per shkake te volumit te punës dhe listave është lëshuar gabim nga ana tyre sa i përket numrit të veteranëve sipas nacionalitetit”, thuhet në përgjigjen e ASK’së dhe të MMPS për Express.
Tutje shpjegojnë se veteranët e luftës të nacionaliteteve joshqiptare i përkasin komunitetit rom, ashkalinj dhe boshnjak.
“Në numrin e përgjithshëm te % përfituesve nga skema për veteranët, përpos përfituesve të nacionalitetit shqiptarë, kemi përfitues nga kjo skemë edhe nga nacionalitetet e tjera etnike si: ashkalinjë dhe boshnjakë, ndërsa nuk ka serb të përfshirë në këtë skemë”, thuhet më tej në përgjigje.
Ndërkaq Hysni Gucati në një prononcim për Gazetën Express është shprehur i befasuar që institucionet kanë listuar veteranë serbë në statistikat sociale të nxjerra për vitin 2018.
“Kurrë asnjëherë nuk mund të ketë serbë veteranë. Unë për vete nuk i kam parë në atë raportin [raportin e ASK’së]. Ka pasur të minoriteve tjera, për shembull rom. Bile një me emrin Hamdi nga komuna e Drenasit është veteran se ka qenë në luftë”, ka thënë Gucati.