06-05-2024

Prizren: Aprovohet marrëveshja për pranim fajësie, dënohet me gjobë i akuzuari për narkotikë

Gjykata Themelore në Prizren, ka shqiptuar 250 euro gjobë ndaj të akuzuarit për posedim të paautorizuar të narkotikëve, A.T.

Aktgjykimin ndaj tij, e ka shpallur gjykatësja Teuta Krusha, në seancën fillestare të së premtes, pasi që i akuzuari paraprakisht kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Ai po ashtu është obliguar edhe me paushallin gjyqësorë në vlerë prej 20 euro, si dhe 30 euro të tjera për fondin e viktimave të krimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori i rastit, Beqë Shala, ka thënë se marrëveshja është lidhur me vullnet të palëve dhe e njëjta është e bazuar në ligj, andaj ka kërkuar që ajo të pranohet nga gjykata.

Po ashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarit Temaj, avokatja Ermira Gavazaj, ka kërkuar aprovimin e kësaj marrëveshje, duke shtuar se ajo ka mbështetje ligjore dhe se është arritur me vullnet të lirë të palëve, si dhe duke kërkuar nga gjykata që dënimin me gjobë i akuzuari Temaj, ta paguaj në dy këste.

Gjykatësja Krusha, e ka pranuar propozimin e palëve dhe ka aprovuar marrëveshjen e arritur në mes tyre.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit më 24 dhjetor 2018, i akuzuari A. T, ngarkohet se më 29 tetor 2018, në Prizren, pas një kontrolli rutinor nga zyrtarët policorë, në automjetin të cilin e drejtonte i pandehuri e që ishte pronë e një shoku të tij, haset duke poseduar pa autorizim substancë të dyshuar për narkotikë të llojit “Marihuanë” me peshë 1.22 gram, me ç’rast sipas akuzës e njëjta i sekuestrohet nga ana e policisë.

Me këtë, sipas aktit akuzues, ai ka kryer veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 275 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.