18-05-2024

Intensifikohen punimet në rrjetin e ujësjellësit në lagjet “2 Korriku” e “11 Marsi” të Prizrenit

Në disa rrugë të lagjeve “2 Korriku” e “11 Marsi” pas kryerjes së punimeve për vendosjen e gypave të ri të ujësjellësit, kanë mbetur gropa të shumta, ndërkohë që rrugët nuk janë riparuar.

Pos pluhurit, një situatë e tillë ka vështirësuar edhe lëvizjen e këmbësorëve dhe të automjeteve, sidomos gjatë natës dhe kohës me shi, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Zyrtarët lokal të Prizrenit thanë se janë intensifikuar punimet në rrugët “Faredin Hoti” dhe “Agron Bytyqi”, ndërsa në ato “Janina” dhe “Nëna Terezë” projektet janë të Ministrisë s Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Zyrtari për marrëdhënie me publikun i Komunës së Prizrenit, Lis Dorambari ka thënë se në rrugën “Agron Bytyqi”, punimet janë në përfundim e sipër, ndërsa në rrugën “Faredin Hoti” tashmë po punohet me dy ekipe.

“Për rrugët në lagjet “2 Korriku” projekti “Ndërtimi i gypsjellësit në rrugën Janina dhe Nëna Terezë” është një projekt i cili investohet nga ana e MMPH (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor) dhe e cila menaxhohet nga ana e tyre në bashkëpunim me Hidroregjionin Jugor-Prizren”, ka thënë për portalin “Gazeta e Prizrenit” ai.

Dorambari  ka shtuar se për këtë projekti duhet të realizohet dhe të përfundojë nga ana e MMPH-së, por nuk ka dhënë ndonjë se deri kur duhet kryer punimet.

Ndërkaq, në një pjesë të rrugës “Faredin Hoti” ka filluar riparimi me kubëza. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.