Interesimi i madh për t’u bërë pjesë e FSK-së
“Deri më datë 20 shkurt 2019 kanë aplikuar 3 653 persona. Brenda një dite ka ndodhë që kanë aplikuar mbi 1 000 persona”, u tha në një përgjigje për Indeksonline nga Ministria e Mbrojtjes. Nga ky konkurs i hapur në fillim të këtij muaji në FSK do të pranohen gjithsej 650 rekrutë të rinj.
“Sipas planit të Ministrisë së Mbrojtjes do të pranohen 650 rekrut të rinj”.
Ndërsa procedurat e shqyrtimit, filtrimit dhe përzgjedhjes të cilat duhet ndjekur të gjithë aplikuesit janë kësisoj: Shqyrtimi fillestar i aplikacioneve, testi i aftësive, testi fizik, intervista me shkrim dhe me gojë, testin mjekësor, trajnimi, verifikimi, emërimi dhe e drejta e ankesës, shkruan insjajderi, përcjell GazetaePrizrenit.net.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 14 dhjetor i dhanë “dritën e gjelbër” shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës. Me mbi 100 vota për nga të gjitha partitë politike përveç Listës Serbe, deputetët votuan tri projektligjet që ia ndërruan mandatin FSK-së në ushtri mbrojtëse të Kosovës, por pa ja ndryshuar emrin kësaj të fundi.