Intervista e rrallë e Konicës: Pushtimi i Italisë ‘thikë pas shpine’
Më 7 prill të vitit 1939, Italia pushton Shqipërinë. Ishte një fushatë e shkurtër ushtarake nga Mbretëria e Italisë kundër Mbretërisë Shqiptare.
Gazetari i VOA, Ilir Ikonomi ka publikuar sot një intevistë të rrallë të Faik Konicës, të para 80 viteve, kohë kur Shqipëria u pushtua nga Italia.
Gazetari shkruan në facebook: “Po ju paraqes një material zanor të pa publikuar ndonjëherë. Është intervista e Faik Konicës, ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Uashington dhënë radios amerikane NBC më 8 prill 1939, një ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia.
Kanë kaluar 80 vjet nga ajo ditë. Pushtimi italian ishte një goditje e rëndë për ministrin Konica dhe për të tjerë që i besuan miqësisë së shtirur të Benito Musolinit. Në intervistë, Konica e quan agresionin e Italisë kundër Shqipërisë së pambrojtur “një thikë pas shpine”.
Intervistuesi quhet Hilmar Baukhage, komentator i njohur i asaj kohe. Disa orë përpara bisedës në radio, Baukhage e kishte vizituar Konicën në apartamentin e tij në Hotelin Mayflower të Uashingtonit, duke shprehur habi për librat e shumtë që rrethonin ministrin erudit të Shqipërisë.
Ky është i vetmi zë i Konicës që njohim deri më sot. Intervistën po e bëj publike të plotë me lejen e radios NBC në Nju Jork”./mapo