05-05-2024

Mobilizimi sindikal i punëtorëve shëndetësorë të Prizrenit gjatë viteve ’90-ta

Pas futjes së masave të dhunshme dhe fushatës për largimin e punëtorëve shqiptarë, në një situatë të tillë gjatë viteve të ’90-ta, në shëndetësi filloi një organizim dhe mobilizim sindikal, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

‘’Aktivistët sindikal tubuan edhe kontributin nga anëtarët për Këshillin për financim”, kujton Bashkim Gashi,  ish-anëtar i kryesisë së SPSH-së.

Shoqata e Mjekëve me aktivitetet e saj konkrete kontribuoi në ofrimin e shërbimeve cilësore për  pacientët. Pos, në Spital, shumë probleme shëndetësore të popullatës shqiptare janë zgjidhur në ordinancat private të mjekëve tanë, numri i të cilave në këtë kohë ishte i konsiderueshëm.

Dr. Selman Muqaj, tregon se ka qenë një qëndrim i mjekëve të sektorit privat, që pacientët e specialitetit përkatëse, të ambulancave të shoqatës humanitare “Nëna Terezë” të marrin shërbime falas në ambulancat e tyre specialistike, që në njëfarë mënyre ishin shndërruar edhe si punkte të shoqatës, për kirurgji, urologji, etj.

Shoqata e Mjekëve të Kosovës-dega në Prizren, ka organizuar edukimin e vazhdueshëm profesional. Ajo ka pasur logon e saj. Madje vetëm të qenit anëtarë i shoqatës, për mjekët e rinj, të cilat kanë dashur të specializojnë ka shërbyer si mundësi për të vazhduar dhe përfunduar specializimin si në Kroaci, Turqi, e sidomos në Slloveni, që printe në këtë drejtim, duke ditur për mosfunksionimin e institucioneve të Kosovës.

Në anën tjetër, farmacistët mundësuan dhënien e barnave dhe materialit mjekësor për shërbimin  e luftëtarëve të lirisë.

Kontributi i profesionistëve shëndetësor prizrenas, në trajtimin e luftëtarëve të UÇK-së është një tregim suksesi. Falë organizimit të tyre Spitali ushtarak në Malësinë e Vrrinit (ish-Lybiçevë) ishte organizuar mirë dhe kishte mjek të përgjithshëm.

Kontribut të veçantë në kujdesin primar shëndetësor të popullatës në këto vite, dhanë ambulancat e Shoqatës humanitare “Nëna Terezë”, për punën e të cilave “GazetaePrizrenit” do të ketë një artikull të veçantë. /GazetaePrizrenit.net/

Lexo edhe shkrimin e djeshëm:

Çfarë pësoi Spitali i Prizrenit nga masat e dhunshme në vitin 1991?

Asnjë koment

Comments are closed.