Investitorët italian takojnë bujqit malishevas për kultivimin e një bime të kërkuar në treg
Sot në Malishevë, ka qëndruar një ekip ekspertësh në bujqësi, të prirë nga investitori Pierpaolo Cavaglieri, e të shoqëruar edhe nga zëvendësministri në Ministrinë e Bujqësisë, Vesel Krasniqi dhe këshilltari i zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, Faton Thaçi.
Ata janë pritur nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe bashkëpunëtorët e tij, e më pas janë takuar edhe me bujqit lokal të Malishevës, me të cilët kanë biseduar për kultivimin e bimës “Alkekengi” në territorin e Komunës së Malishevës.
Në njoftimin e komunës, thuhet se takimin me krerët komunal të Malishevës, investitorët italian prezantuan idetë e tyre për kultivimin e bimës “Alkekengi”, e cila përdoret në industrinë e ushqimit dhe në mjekësi. Për këtë interesim të tyre, Begaj, i ka falënderuar investitorët italian, si dhe ju ka sqaruar edhe kushtet dhe lehtësirat që Komuna ofron për investitorët.
Më pas, ekipi nga Italia, është takuar edhe me bujqit lokal të Malishevës, para të cilëve është paraqitur interesimi i tyre, për kultivimin e kësaj bime, e cila ka kushte të favorshme për t’u kultivuar në këtë pjesë, e në të njëjtën kohë, është edhe një prej bimëve më të kërkuara në tregun evropian, në këtë industri.
Cavaglieri, e ka prezantuar këtë bimë para bujqve, si dhe i ka shpjeguar edhe karakteristikat e saj, procesin e mbjelljes dhe rritjes, e deri në vjeljen e saj. Investitori italian, tha se nëse arrihen të mbillen dhjetë hektarë me këtë bimë, ai do të ndërtoj edhe një fabrikë për kultivimin e frutave, ndërsa fermerët të cilët do ta kultivojnë këtë bimë, e kanë tregun e garantuar, pasi ai të bëj kontratë me të gjithë kultivuesit.
Në këtë takim, edhe zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Vesel Krasniqi, tha se “ministria, këtë produkt do ta rendit në programin e saj zhvillimor dhe kultivuesit e kësaj bime, do të ndihmohen nga ministria”.