25-11-2024

Iran Badalli, thotë që s’është në dijeni se si ka shpërthyer eksplozivi në shtëpinë e tij

Iran Badalli, të cilit i është caktuar një muaj paraburgim nga gjykata, nën dyshimet se kishte vendosur eksploziv në shtëpinë e tij ku mbeti i vrarë polici Sami Thaçi dhe u plagosën dy të tjerë ka mohuar se është në dijeni të ngjarjes që ndodhi në shtëpinë e tij.

Në seancën për caktimin e paraburgimit, pasi që atij iu larguan prangat, gjyqtari i procedurës paraprake e njoftoi për arsyen e arrestimit.

“Nuk është e vërtetë“, deklaroi i dyshuari Iran Badalli, duke mohuar se është në dijeni të asaj çfarë ka ndodhur dy net më parë.

Pasi i dyshuari Iran Badalli u lirua nga prangat dhe u ul para gjyqtarit, i njëjti  e pyeti se a ka vërejtje në trajtimin e tij në gjykatë dhe prej momentit të arrestimit, Badalli tha se nuk kishte asnjë vërejtje.

“Shteti që ti e ke sulmuar po të trajton njerëzisht“, i tha gjyqtari, i cili vendosi që Badalli të qëndrojë nën masën e paraburgimit.

Kur prokurori i rastit Metush Biraj lexoi kërkesën e prokurorisë për caktim të paraburgimit dhe veprat për të cilat dyshohet Iran Badalli, ai mohoi të jetë në dijeni për ngjarjen e ndodhur.

Iran Badalli tha se ditën kur ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë në shtëpi prej orës 15:30.

“Jam largu nga shtëpia e nuk jam kanë aty prej masdites, vetëm fëmijët janë kanë në shtëpi”, tha Badalli, përcjell EkonomiaOnline

Ai deklaroi se fillimisht kishte telefonuar vajzën e tij.

“Jemi kanë t`u fol edhe është ndal telefoni, kur e kam thirr prapë më është lajmëru policia edhe m’kan thanë me shku në shtëpi”, deklaroi Iran Badalli, duke shtuar se është drejtuar për te shtëpia e tij.

“Qysh ka ndodh ngjarja nuk e di, se di pse ka ndodh ashtu“, deklaroi Badalli lidhur me ngjarjen e  ndodhur në katin e dytë të shtëpisë së tij ku mbeti i vrarë në detyrë polici Sami Thaçi.

I dyshuari Iran Badalli është i arrestuar për ngjarjen e ndodhur në shtëpinë e tij ku mbet i vrarë në detyrë polici Sami Thaçi.

Ai dyshohet për kryerjen e tri veprave penale, ndër to edhe atë të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve./indeksonline

Asnjë koment

Comments are closed.