Ish-asamblisti i Komunës së Malishevës deklarohet i pafajshëm për mos raportim të pasurisë
Ish-asamblisti i Komunës së Malishevës, Aziz Thaqi, është deklaruar i pafajshëm për mos deklarim të pasurisë, në seancën fillestare të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.
Pasi që aktakuza u konsideruara e lexuar, i akuzuari Thaqi ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi i çështjes, Njazi Morina, e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Rrahman Kastrati, se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të bëjnë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.
Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar të mbahet më 13 shtator 2019, në ora 13:30.
Sipas aktakuzës së ngritur më 16 mars 2018, Aziz Thaqi akuzohet më 23 mars 2017, në cilësinë e zyrtarit së lartë publike, respektivisht si kryesues i Kuvendit Komunal në Malishevë, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për deklarim, prejardhjen dhe kontrollimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave, për periudhën kohore prej 1 janar 2015 e deri më 31 dhjetor 2015, në atë mënyrë që në rastin e deklarimit të pasurisë nuk ka deklaruar pasurinë- subjektin afarist O.S “As.dent”, edhe pse sipas ligjit ka qenë i detyruar ta bëjë.
Në aktakuzë thuhet se me këto veprime, i akuzuari Aziz Thaqi e ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437, paragraf. 2 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi