18-04-2024

Ish-asamblisti i Malishevës dënohet me burgim me kusht dhe gjobë për mos deklarim të pasurisë

Ish-asamblisti i Komunës së Malishevës, Izet Morina, i akuzuar për mos deklarim të pasurisë, të martën, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, si dhe 400 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Mirëpo, dënimi me burg ndaj tij nuk do të ekzekutohet, nëse ai brenda periudhës verifikuese prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Morina, po ashtu, obligohet që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 40 eurosh, si dhe 40 euro për kompensimin e viktimave.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit është shpallur nga gjykatësi i rastit Njazi Morina, pasi ai paraprakisht kishte pranuar fajësinë për veprën penale.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 17 maj 2019, ish-asamblisti Morina e kishte pranuar fajësinë, duke shtuar se ky nuk ishte veprim i qëllimshëm, pasi që kishte qenë i angazhuar me punë dhe i kishte ikur afati për deklarim të pasurisë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 dhjetor 2017, Izet Morina, akuzohet se nga data 1 mars e deri më 31 mars 2017, në cilësinë e zyrtarit së lartë publike, respektivisht këshilltar në Asamblenë Komunale në Malishevë edhe pse ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare, nuk ka deklaruar pasurinë për periudhën e vitit 2016, edhe pse këtë është dashur ta bëjë deri më datën 31.03.2017.

Në aktakuzë thuhet se me këto veprime, i akuzuari Izet Morina, ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 par.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.