19-04-2024

Ish-drejtori i Inspektorateve në Prizren thotë se e çoi lëndën në Prokurori posa mori vesh për ndërtimin e dy kateve pa leje

Ish-drejtori i Drejtorisë së Inspektorateve, Islam Thaqi, ka thënë se e ka kuptuar se një ndërtim ka pasur tejkalime për dy kate vetëm atëherë kur i ka dërguar inspektorët në terren.

Ai ka treguar njëra se në momentin që ka vërejtur shkelje lëndët i ka dërguar në Prokurori përfshirë edhe lëndën ndaj Nexhmedin Musliut, i cili po akuzohet se nuk ka ndërmarrë veprime dhe ka lejuar dy kate të ndërtimit të një shtëpie në Prizren në kundërshtim me ligjin.

Këto deklarime, Thaqi i ka bërë në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prizren ku po vazhdon gjykimi ndaj ish-inspektorit të ndërtimit, Nexhmedin Musliu, i cili akuzohet për korrupsion pasi nuk ka ndërmarrë veprime e dy kateve në shtëpinë që ndodhet në “Qylhan” të Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Thaqi ka thënë se kur ka marrë pozitën e Drejtorit kishte kontrolluar lëndët dhe kur ka vërejtur se ka probleme i ka dërguar në Prokurori.

Ai ka thënë se inspektorët janë përgjegjës të bëjnë kontrollimin e ndërtimeve nëse janë duke shkuar sipas lejeve.

Sipas tij, nuk mund të bëhen tejkalime në etazhitet jashtë lejes ndërtimore si në rastin e tejkalimit të dy kateve të shtëpisë.

Ai theksoi se deri në dorëzimin e lëndës në Prokurori, nuk është marrë asnjë veprim konkret në ekzekutimin e konkluzionit për rrënimin e objektit.

Pas dëgjimi të dëshmitarit, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, ka njoftuar se seanca e radhës mbahet me 24 gusht, duke filluar nga ora 10.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, të përpiluar më 14 janar 2020, Nexhmedin Musliu po akuzohet se nga prej  nëntorit 2014 e deri në maj 2016, si inspektor i ndërtimit nuk i ka përmbush detyrat zyrtare të përcaktuara me ligj.

Sipas aktit akuzues, Musliu ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit” në Prizren, por i njëjti nuk ndërmerr veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje të bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, Planin Zhvillimor Urban të komunës dhe lejeve të ndërtimit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se investitorëve Ruzhdi Fandaj dhe Tahir Haziraj u kanë mundësuar që në mënyrë të pakontrolluar të vazhdojnë ndërtimet e katit të tretë dhe të katërt të shtëpisë individuale, duke bërë konstatimin formal të gjendjes faktike në procesverbale.

I pandehuri Musliu, sipas aktakuzës, asnjëherë nuk e ka zbatuar masën e rrënimit edhe pse ka qenë i obliguar për një gjë të tillë, duke i sjell përfitim investitorëve, ku ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit në “Qylhan” të Prizrenit.

Ndryshe, Nexhmedin Musliu është i akuzuar edhe në disa raste të tjera, që lidhen me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.