23-11-2024

Ish-drejtori i Urbanizmit në Prizren, Nijazi Kryeziu mohon fajësinë për lidhje të kundërligjshme kontrate me tv lokal

Ish-drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Nijazi Kryeziu, është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, i akuzuari Kryeziu, ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që i akuzuari e ka mohuar fajësinë, gjykatësja Raima Elezi, e ka njoftuar atë se brenda afatit ligjor ka të drejtë të paraqes kundërshtimet si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, derisa shqyrtimin e dytë gjyqësor e ka caktuar më 19 nëntor 2019, në ora 13:15.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 1 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 7200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së.

Muaj më parë Kryeziu është shkarkuar edhe nga posti i tij, si këshilltar i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, pas vendimit të këtij të fundit për shkarkimin e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që kanë aktakuza. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.