Ish-eprori i UÇK-së, Rrahim Bekteshi me dedikim prekës kushtuar ish-eprorit Xhavit Elshani
Ish-eprori i UÇK-së nga ZO e Pashtrikut, Rrahim Bekteshi, në një përkujtim dedikuar ish-bashkëluftëtarit dhe ish-eprorit të UÇK-së, Xhavit Elshanit- ka shkruar se nuk mund ta besojë vdekjen e Komandant ” Leopardit” pasi ai u mbijetoi plagëve më të rënda të luftës, duke qenë shembull dhe morali më i mirë për luftëtarët e lirisë, ndërsa tmerr i armikut dhe tradhtarëve të kombit, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Kapiteni Elshani i njohur me nofkën Komandant “Leopardi” nga Pirana, që është shquar në shumë beteja për trimëri e guxim, ndërroi jetë sot, duke lënë përejtësimet e tij nga fushëbetejat me pushtuesit serbë.
Postimi i Bekteshit:
“E kam të vështirë të shkruaj për ty miku im dhe bashkëluftëtari kapiten Xhavit Elshani.
Më duket se kjo nuk është e vërtetë dhe nuk mund ta besojë vdekjen tënde miku im, sepse ti i ke përballuar edhe plagëve më të rënda të luftës, ti ishe shembulli dhe morali më i mirë për të gjithë luftëtarët e lirisë, ishe tmerri i armikut dhe tradhtarëve të kombit.
Ndër beteja kur të tjerët e humbnin shpresën ti ishe shpresa dhe morali luftëtarëve të lirisë duke shtegtuar herë në Pashtrik e herë në Dukagjin.
Heroizmi dhe lufta e jote do të kujtohen ndër breza.. sepse gjithmonë ishe në ballë të aksioneve kundër armikut. Ti ishe një epror profesionist me të cilin mburreshim të gjithë, një komandos i vërtet qe do ta kishin zili edhe njësitet elite botërore.
Edhe sot më kujtohen vitet e pas luftës me uniformën e TMK-së në Batalionin e Gardës, ashtu sikurse në luftë edhe në Paqe ishe i gatshëm dhe në ballë të sfidave kapiten Xhavit Elshani. Lamtumirë bashkëluftëtari im: kapiten Xhavit Elshani ! Lavdi jetës dhe veprës sate!”/Gazetae Prizrenit.net/