24-11-2024

Ish-komandanti i policisë serbe tha se nuk ka frikë të akuzohet për krimin në Reçak

Ish-komandanti i xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq “Guri”, tha se nuk ka frikë se emri i tij do të jetë në aktakuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës për masakrën në Reçak.

Sipas konkluzionit të gjykatës në Hagë, më 15 janar 1999, forcat serbe vranë së paku 45 shqiptarë të Kosovës në fshatin Raçak. Shumica e të vrarëve u qëlluan në kokë, me sa duket nga një distancë e afërt, shkruan REL.

Raporte të ndryshme të OSBE-së dhe organizatës joqeveritare Human Rights Watch (HRW) i karakterizojnë ngjarjet në Reçak si masakër ndaj civilëve shqiptarë nga forcat serbe.

Komandant i operacionit në Reçak ishte Goran Radosavleviq “Guri”. Ai nuk u akuzua asnjëherë për krimet e kryera në atë fshat.

Vitin e kaluar, prokuroria në Prishtinë ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për 18 persona që dyshon se janë përgjegjës për këtë.

I pyetur nëse ka frikë se emri i tij dhe emrat e shokëve të tij do të figurojnë në ato aktakuza, Radosavleviq tha për Radio Televizionin e Serbisë (RTS):

“Nuk ka pse të kemi frikë, ne e dimë që kemi luftuar për vendin tonë, jemi krenarë për atë veprim”.

Radosavleviqi tani ndodhet në Serbi. Ai ishte anëtar i Bordit Kryesor të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet.

Ish-komandant “Guri” konsiderohet si një prej urdhërdhënësve për kryerjen e Masakrës së Reçakut.

Ai po ashtu dyshohet se është i përfshirë edhe në vrasjen e tre vëllezërve Bytyqi, shtetas amerikanë. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara e kishin vendosur në listë të sanksioneve atë që nga dhjetori i vitit 2018, për shkak të siç ishte thënë: “Radosavleviq besohet se është i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyqi më 1999”.

Fondi për të Drejtën Humanitare disa herë ka thënë se Goran Radosavleviq ishte udhëheqës i kampit në Petrovo Sellos, ku u vranë vëllezërit Bytyqi. Sipas kësaj organizate me seli në Beograd, në këtë kamp asgjë nuk ka ndodhur pa dijeninë e tij.

Më 15 janar, 1999, në Reçak u krye një prej masakrave më mizore. Aty u vranë 45 shqiptarë. Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe. Serbia refuzon të pranojë të ketë kryer masakër.

Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes. “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”.

Lajmi i masakrës senzibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s.

Asnjë koment

Comments are closed.