Ish-kryetari i Leposaviqit dënohet me 3 vjet burgim për korrupsion, Gjykata merr vendim edhe për 13 të akuzuarit tjerë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, duke e dënuar me 3 vjet burgim efektiv për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Aktgjykim dënues u shpall edhe për 13 të akuzuarit tjerë për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”. Kurse, për “Pjesëmarrje dhe organizim të grupit kriminal”, të gjithë të akuzuarit u liruan nga akuza.
Në këtë rast, aktakuza ngarkonte ish-kryetarin e Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq. Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzoheshin për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Dragan Jabllanoviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 3 vjet burgim efektiv, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Ndërsa, i akuzuari Haxhi Bejta, për veprën penale penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim, i cili dënim po ashtu do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I akuzuari Aleksandar Ackoviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet burgim efektiv. Dënimi do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Të njëjtit iu shqiptua dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike dhe shërbim publik për dy vite, pas mbajtjes së dënimit me burgim.
I akuzuari Aleksandar Kostiq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 1 vit burgim, i cili do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Të njëjtit i shqiptohet dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 1 viti, pas mbajtjes së dënimit me burg.
Po ashtu, i akuzuari Çedomir Timotijeviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet burgim efektiv. Edhe këtij, dënimi i ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Të njëjtit i shqiptohet dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 vite pas mbajtjes së dënimit me burg.
Bojan Banoviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet burgim. Atij i shqiptohet dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 vite pas mbajtjes së dënimit me burg. Dënimi me burgim, do t’i ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Mirosllav Ivanoviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet burgim efektiv, i cili dënim do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Të akuzuarit e lartpërmendur, për veprën “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, janë dënuar për kryerjen e saj në bashkëkryerje.
Kurse, i akuzuari Ivan Kadiq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 6 muaj burgim efektiv. Ky dënim, me pëlqimin e tij mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 5 mijë euro. Dënimi i ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Të njëjtit i shqiptohet dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 1 viti.
I akuzuari Boban Millovanoviq për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 6 muaj burgim efektiv. Ky dënim, me pëlqimin e tij mund t’i zëvendëshet me gjobë në shumën prej 5 mijë euro. Dënimi i ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Edhe atij, i shqiptohet dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 1 viti.
Të akuzuarit e lartcekur, janë shpallur fajtorë për veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje dhe vazhdimësi.
Po ashtu, i akuzuari Haki Haxhiu, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, dënohet me 500 mijë euro gjobë dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Po ashtu, edhe për të, dënimi do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
I akuzuari Mehdi Haxhiu, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, dënohet me 500 mijë euro gjobë dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Edhe Mensur Rama, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, dënohet me 50 mijë euro gjobë dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti. Dënimi do t’i ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Dhe në fund, Nijazi Musliu, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, dënohet me 100 mijë euro gjobë dhe me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili me pëlqimin e të akuzuarit mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 30 mijë euro.
Sipas Gjykatës, nuk u manifestuan elementet e veprës penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal”, andaj të akuzuarit u liruan nga akuza për këtë vepër penale.
Obligohet secili nga të akuzuarit që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 500 euro, si dhe shumën prej 100 euro për fondin e kompensimit të viktimave.
Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Avokatuara Shtetërore, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, për parashtrimin e kërekesës pasurore juridike, udhëzohet ëw konekts civil.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, në seancën e 20 shtatorit 2024, kishte dhënë mbrojtjen ish-kryetari i Leposaviqit, i cili ka mohuar se ka ndikuar në punësimin e të akuzuarve tjerë.
Aktakuza ngarkonte Dragan Jabllanoviq, ish-kryetar i Leposaviqit për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq. Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, të cilët ngarkoheshin për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe J.B, mirëpo më 16 tetor 2023, gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj saj pasi që e njëjta ka ndërruar jetë.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 13 shtator 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.
Të pandehurit në këtë rast, akuzoheshin se e kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.
Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.
Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet. Aktakuzën e plotë për këtë rast mund ta lexoni duke klikuar KËTU. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.