Ish-kryetari Ramadan Muja thotë se dy ish-drejtorët s’raportuan për objektin pa leje
Ish-inspektori Bytyqi akuzohet se gjatë periudhës kohore 2016-2017, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor në lagjen “Jeni Mahall”, të investitorit NTSH “Shigjeta e Pashtrikut”, me pronar Feim Hamiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prizren, ish-kreu i kësaj komune, ka deklaruar se investitori në këtë rast, e ka pasur për obligim të pajisej me leje ndërtimore, sikur të gjithë investitorët e tjerë.
Ramadan Muja, duke u përgjigjur në pyetjen e të akuzuarit Bytyqi, ka thënë se dy drejtorët nuk kanë raportuar lidhur me punën e tyre, e as për ndërtimin e objektit në fjalë.
“Po është detyrë e drejtorëve të raportojnë për detyrën e tyre, por ka pasur raste kur nuk kanë raportuar edhe për rastin konkret lidhur me ndërtimet në lagjen “Jeni Mahall”, drejtori i Urbanizmit, e as drejtori i Inspektoratit nuk kanë raportuar. Por, në fund të konkluzionit qartë shkruan se përgjegjës për zbatimin e konkluzionit është drejtori, sepse ai propozon marrjen e konkluzionit dhe bordi e diskuton për aprovim apo jo. Drejtori komunikon me inspektorët përkatës”, është përgjigjur Muja.
Ai ka thënë se ekziston një vendim i Bordit të Drejtorëve të Komunës së Prizrenit, lidhur me dhënien e tokës komunale në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal.
Sipas tij, në atë vendim, në fjalinë e fundit shkruhet “për zbatimin e këtij konkluzioni ka për detyrë ta realizojë drejtori i Drejtorisë adekuate”.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet mbrojtësit të të akuzuarit Enver Bytyqi, avokatit Arben Shala, Muja ka thënë se ai nuk ka njohuri për marrëveshjen e partneritetit publiko-privat, që lidhet me ndërtimin e këtij objekti.
“Sa më kujtohet mua, unë kam nënshkruar një marrëveshje me investitorin për ndërtimin e disa banesave, dhe atë 13 banesa për nevojat e komunës, në emër të tokës pronë e Komunës, ”, ka thënë dëshmitari Muja, ku sipas tij, në këtë rast ai kishte vepruar në bazë të autorizimit të Kuvendit Komunal.
Në seancën e së enjtes, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe investitori, Feim Hamiti.
Dëshmitari Hamiti, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Bytyqi, avokatit Arben Shala, ka deklaruar se gjatë ndërtimit të objektit ka pasur inspektime nga Drejtoria e Inspektoratit.
“Ka pas inspektime, janë përpiluar procesverbale, ka pasur edhe vërejtje prej inspektorit në fjalë lidhur me rregullimin e punimeve të objektit, ka pasur edhe një konkluzion nga Drejtoria e Inspektoratit, ashtu që në bazë të atij konkluzioni unë kam vepruar vet, kam rrënuar objektin. Sa më kujtohet objekti ka qenë në fazën e ndërtimit të katit të shtatë, pas konkluzionit kam larguar shtyllat, siç është kërkuar”, ka thënë dëshmitari Hamiti.
Ai ka thënë se inspektori i ndërtimit pas inspektimit ka vendosur shiritat, ku ai kishte ndërprerë punimet për një vit, e që sipas tij, më pas ai kishte larguar shiritat dhe kishin vazhduar punimet.
Sipas tij, objekti në fjalë deri në përfundim të ndërtimit nuk ka pasur leje ndërtimi të lëshuar nga organi i autorizuar i Komunës së Prizrenit, madje sipas tij, drejtoria e Inspeksionit asnjëherë nuk kishe nxjerrë konkluzion për rrënimin e objektit.
Dëshmitari Hamiti, ka thënë se plani rregullativ i Komunës së Prizrenit për ndërtim në lagjen “Jeni Mahall”, lejon ndërtimin e objektit P+7, ndërsa ata kishin tejkaluar për dy kate.
Në këtë seancë, ka qenë e paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari tjetër, Nijazi Kryeziu, por që ai ka munguar.
Në mungesë të dëshmitarit Nijazi Kryeziu, trupi gjykues e ka ndërprerë seancën e së enjtes dhe seancën e radhës e ka caktuar më 4 dhjetor 2019, në ora 13:15.
Për këtë rast, ishte i akuzuar edhe investitori Feim Hamiti, për veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”, i cili në seancën fillestare kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me shtatëmijë euro gjobë.
Prokuroria Themelore Prizren, për këtë rast ka ngritur aktakuzë, më 19 prill 2019, ndaj të pandehuri Enver Bytyqi, duke e ngarkuar atë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Bytyqi, gjatë periudhës kohore 2016-2017, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor në lagjen “Jeni Mahall”, të investitorit NTSH “Shigjeta e Pashtrikut” me pronar Feim Hamiti, me qëllim që të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbalit duke mos sjell konkluzionin për rrënimin e objektit pa leje, kështu ka mundësuar dobi pasurore për investitorin Feim Hamiti. /BetimipërDrejtësi