Ish-mësimdhënësi kërkon nga Komuna e Rahovecit mbi 2.000 euro për pagat jubilare

Në seancën e mbajtur këtë të premte në Gjykatën Themelore në Gjakovë dega në Rahovec, ish-mësimdhënësi Rasim Fazliu, i cili e ka paditur Komunën e Rahovecit, ka kërkuar kompensimin e pagave për përcjellje në pension, shpërblimin jubilar, dhe ushqimit në punë në vlerë prej 2 mijë e 500 euro.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Qazim Qeska, tha se klienti i tij pa ndërprerje kishte punuar në këtë komunë si mësimdhënës për 43 vjet dhe sipas tij i takojnë dy paga jubilare dhe tri paga me rastin e daljes në pension, si dhe  shpërblimi për shujtat ushqimore për dy vite sipas kontratës kolektive.

I njëjti tha se është njoftuar nga klienti i tij që në procedurë administrative është kompensuar me pagat pas pensionit, ndërsa tani mbesin vetëm pranë  padis për shpenzimet e ushqimit dhe një pagë jubilare.

Ndërsa, përfaqësuesi e Komunës së Rahovecit, Bylbyl Oruçi tha se kjo komunë nuk ka ndarë linjë buxhetore për këto lloj kompensime dhe në mungesë të mjeteve nuk mund të realizojë një kërkesë të tillë, andaj kërkoi që padia e paditëses të refuzohet si e pabazuar.

Gjykatësi Betim Behluli, seancën e radhës për këtë rast e ka caktuar me 15 shkurt 2021, në ora 10:30.

Paditësi Rasim Fazliu, më 09 mars 2020, kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Gjakovë dega në Rahovec-Departamenti Civil, kundër Komunës së Rahovecit, duke kërkuar kompensimin e pagave për përcjellje në pension dhe shpërblimin jubilar dhe shpërblimet për shujtat ushqimore.

Sipas padisë, Fazliu, kishte qenë në marrëdhënie të rregullt të punës me këtë komunë dhe kishte punuar mbi 40 vite si mësimdhënës deri në ditën e pensionimit, andaj i njëjti në bazë të ligjit kishte kërkuar kompensim të  pagave pas pensionit dhe shpërblim jubilar dhe shpërblimin për shujtat ushqimore. /BetimipërDrejtësi