24-11-2024

Ish-trajneri i Kosovës me deklaratë tronditëse, zbulon se si u “ble” një lojtar që mblidhte patate

Christos Marmarinos është rrëfyer për kohën e tij sa ishte përzgjedhës i Kombëtares së Kosovës në basketboll.

Në një intervistë të publikuar nga mediat greke, ai mes tjerash zbuloi një histori të pabesueshme, për “blerjen e një lojtari që mblidhte patate”, shkruan Gazeta Express.

“Ne ‘blemë’ një lojtar nga babai i tij, i cili ishte 2.15 i gjatë dhe nuk kishte kapur kurrë një top në jetën e tij. Herën e parë që doli në fushë, i dhamë topin, i thamë ta fuste në kosh dhe ai e gozhdoi se nuk dinte si ta fuste ndryshe. Pra, shkojmë te babai i tij për t’i thënë atij të vijë të stërvit djalin e tij dhe ai thotë: ‘Jo, kush do të më ndihmojë të nxjerr patatet? Djali im është i vetmi punëtor’”, tha fillimisht trajneri grek.

“Kështu e pyetëm sa donte të merrte një punëtor dhe në fund Federata i jepte 100 euro në muaj që të merrte një punëtor dhe ta linte djalin të stërvitej. Pas 2 vitesh, djali i tij vendosi që i pëlqen fusha më shumë se basketbolli dhe u largua”, deklaroi ish-përzgjedhësi i Kosovës.

Marmarinos ishte emëruar në krye të “Dardanëve” në vitin 2020.

Ai udhëhoqi me ekipin e Kosovës në 10 ndeshje, ku pati bilanc prej tri fitoreve dhe shtatë humbjeve. /Gazeta Express/

Asnjë koment

Comments are closed.