06-05-2024

Itali: 651 të vdekur për një ditë, 5560 raste të reja me koronavirus

Numri i të vdekurve në Itali ka shkuar në 651, derisa 5560 të tjerë janë prekur nga koronavirusi i ri brenda një periudhe një-ditore.

Kjo ka bërë që numri total i vdekjeve të arrijë në 5,476, duke e bërë Italinë vendin me shifrat më të larta të vdekjes si pasojë e koronavirusit. Shifra e përgjithshme e të prekurve në vend ka arritur në 59,138, shkruan lajmi.net.

Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë italian nëpërmjet një konference të mbajtur në ora 18:00.

Statistikat kanë pësuar përmirësim për dallim nga 48 orët e fundit, sipas zyrtarëve italianë.

Kryeministri i vendit, Giuseppe Conte, e kishte parashikuar këtë javë si ‘javën më të vështirë’ për popullin italian.

Regjioni më i prekur vazhdon të jetë Lombardia, e cila për nga rastet me koronavirus statistikisht e tejkalon edhe nivelin kombëtar.

Aktualisht, në mbarë botën janë 332,134 raste me koronavirus, 14,436 kanë vdekur nga infektimi dhe 96,958 janë shëruar nga virusi. /Lajmi.net/

Asnjë koment

Comments are closed.