18-04-2024

Ja çfarë deklaroi në gjykatë ish-drejtori i Inspektoratit në Prizren për rrënimin e aneksit të “Abi Çarshia”

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, ka vazhduar mbrojtjen i akuzuari Islam Thaqi, ish-drejtor i Inspektoratit në Prizren, i cili tha se rasti lidhur me rrënimin e aneks objektit të “Abi Çarshia” ishte trajtuar me prioritet për shkak të vlerës së madhe të dëmit.

I akuzuari Thaqi dhënien e mbrojtjes e filloi në seancën e së martës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Thaqi bashkë me Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, akuzohen për korrupsion në rastion e rrënimit të aneks objektit të “Abi Çarshisë”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Mehdi Sefa, i akuzuari Islam Thaqi deklaroi se investitori ishte i obliguar që të respektojë vendimin për mosvazhdim të punimeve.

Ai shtoi se njëra ndër arsyet se pse kishte deklaruar se duhej bërë rrënimi i dhunshëm, ishte sepse kishte plan rregullativ të hollësishëm për hapje të rrugës në pjesën ku ishte bërë tejkalimi.

I akuzuari Thaqi deklaroi se në gjatë vitit 2017-2019 kishin qënë të angazhuar tre inspektorë, përkatësisht prej 2017 e deri më 2018 kishte qenë inspektori Bashkim Krasniqi, një pjesë të vitit 2018 e deri në 2019 kishte qenë inspektorja Egzona Morina-Thaqi dhe pjesën tjetër të mbetur inspektorja Jetmire Vrenezi.

I njëjti shtoi se në dy rastet për rrënim të objektit si në vitin 2018 e ashtu edhe më 2019 kishte qenë në vendin e ngjarjes dhe se nuk kishte pasur dijeni se është zhvilluar ndonjë procedurë shpronësimi lidhur me atë pjesë të objektit.

Tutje theksoi se lidhur me këtë rast, përgjegjësia e tij kishte qenë kontaktimi i kompanisë së rrënimit, të bëjë njoftimin e policisë, kompanive të energjisë, kompanisë së ujësjellësit dhe se e gjithë mbarëvajtja tjetër është përgjegjësi e inspektorit, i cili ka kërkuar ekzekutim të aktvendimit të nxjerrë për rrënim.

Në fund, ai shtoi se aplikimi për legalizim i 19 korrikut 2019 që “Abi Çarshia” kishte bërë në Drejtorinë për Urbanizëm pranë Komunës së Prizrenit, nuk ishte pranuar dhe se nuk kishte gjetur asnjë shkelje nga inspektorja Jetmire Vrenezi lidhur me rrënimin e objektit në fjalë.

Po ashtu, Thaqi tha se as nuk kishte tendencë nga ajo për ndonjë gjë të qëllimshme, por si lëndë ishte lëndë me prioritet për shkak të vlerës së madhe të dëmit.

Pas kësaj, seanca e sotme përfundoi dhe seancat e radhës janë caktuar më 28 shkurt 2022, 4 dhe 7 mars 2022, ku do të japin mbrojtjen të akuzuarit Jetmire Vrenezi, Egzona Morina Thaqi, Arian Taraku, Shqipëron Krasniqi dhe Isë Bislimaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Venezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut, Isë Bislimajt dhe Shqipëron Krasniqit, të cilët po i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se më 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit ndaj “Abi” SHPK në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69 mijë e729 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.