23-11-2024

Ja kur mbahet afati i dytë i Testit të Maturës

Rreth 8 mijë e 300 maturantë, të cilët nuk e kanë kaluar provimin e maturës shtetërore në afatin e parë, pritet t’i nënshtrohen edhe një herë të shtunën.

Rezultatet e afatit të dytë pritet të shpallen më 19 shtator. Për mbarëvajtjen e këtij procesi, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se ka angazhuar rreth 250 komisionarë, 84 mbikëqyrës dhe 900 administrues. Përmes një përgjigjeje me shkrim, MASH-i ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e këtij provimi sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Shkollat janë të gatshme për mbajtjen e testit, ekipet e Inspektoratit të Arsimit janë vazhdimisht në terren dhe tashmë të gjitha shkollat janë të pajisura me mjete të nevojshme për ofrimin e kushteve që sigurojnë mbrojtje ndaj virusit COVID-19 për të gjitha aktivitetet mësimore, përfshirë edhe testin e maturës”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.

Lexo edhe:

Prizreni me performancë të dobët për Arsimin parauniversitar (Dokument)

E kryesuesi i Kolegjiumit të drejtorëve komunalë të Arsimit, Besim Avdimetaj, përmes telefonit ka deklaruar se deri të premten çdo gjë do të jetë gati, në mënyrë që ky proces të shkojë pa ndonjë problem.

Provimi i maturës është dashur të mbahej në korrik, por ishte shtyrë për gusht nga Ministria e Arsimit për shkak të situatës me pandeminë. Kjo shtyrje ka bërë që të vonohet regjistrimi i studentëve në institucione të arsimit të lartë. MASH-i ka konfirmuar se është duke i trajtuar kërkesat e universiteteve për shtyrjen e afatit për regjistrim dhe vendosjen e studentëve në sistemin për menaxhimin e informatave në arsim.

Prej 25.362 nxënësve që i janë nënshtruar provimit të maturës në afatin e parë në muajin gusht, vetëm 17.105 e kanë kaluar atë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.