23-11-2024

Ja pse dështoi votimi i buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2021

Në ditën e fundit të afatit të paraparë, Kuvendi Komunal i Prizrenit, sot nuk arriti ta miratojë Propozim-Buxhetin e Komunës së Prizrenit për vitin 2021.

Opozita kundërshtoi ta votojë atë, duke e quajtur “Buxhet të kubëzave e asafaltit”, “buxhet të tenderëve dhe fushatës e të partisë”, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Ndonëse mbledhja e sotme ishte ndër më të gjatat në këtë përbërje, organi më i lartë komunal  KK,  nuk arriti ta kalojë propozim-buxhetin e prezantuar nga kryetari i Komunës Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e financave, Leonora Çerreti.

Pro votimit të buxhetit ishin 11 kuvendarë, kundër 19-të, ndërsa dy prej tyre kanë abstenuar.

Për miratimin e buxhetit nevojitej edhe votimi i opozitës (PDK, LDK, AAK dhe NISMA), që ka shumicën në Kuvend apo 2/3 e numrit prej 41 ulësesh sa ka KK.

Meqenëse kryetari Haskuka me qeverisjen e tij nuk e ka shumicën e votave në KK, atëherë  kalimi i buxhetit ishte në duar të opozitës, e që ishte dhe shpresa e vetme e Haskukës.

Kuvendarët e opozitës kërkuan që të merren parasysh edhe propozimet e tyre dhe që projektet të jenë gjithëpërfshirëse, e jo vetëm sipas preferencave të pushtetit, duke orientuar, siç thanë mjetet vetëm në kubëza e asfalt, siç ndodhte edhe më parë.

Përfaqësues të VV-së, ndërkaq thanë se buxheti është gjithëpërfshirës, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Simir Krasniqi nga PDK, tha se në projekt-propozimin final nuk janë përfshirë edhe kërkesat e PDK-së, sidomos pjesën për ndihmë bizneseve gjatë kohës së Pandemisë të cilën tashmë e ka publikuar subjekti i tij.

Kuvendari Haziz Hodaj- LDK, ndërkaq tha se arsyeja pse ekziston KK është buxheti, por ky tashmë ngjan në një  “fontanë dëshirash”, derisa  Prizreni është shembull i tepricës së parave, si pasojë e mosmenaxhimit të mirë.

Ilir Baldedaj nga AAK, tha se kur ishte PDK në pushtet, Vetëvendosje  e quante qeveri e asfaltit, ndërsa tashmë po vepron njësoj. Buxheti për kubëza e asfalt duhet shkoj duke u zvogëluar  gradualisht pasi janë bërë 20 vjet investime. Ky buxhet është puro fushatë elektorale, ndërsa VV që akuzonte PDK-në se po shtron asfalt para zgjedhjeve, tash kur erdhi në pushtet po vepron edhe me keq”.

Pranverim Berisha nga Nisma, tha se kjo parti prej dje e ka bërë të qartë qëndrimin e saj rreth buxhetit, duke e vlerësuar atë si buxhet të konstruktuar për fushatë elektorale,  ndërsa partitë opozitare nuk duhet ta votojnë dhe të bëhen argatë të mazhorancës minore në Prizren.

Derisa kuvendari nga VV Karafil Haxhillari, mohoi deklarimet e opozitës duke thënë se buxheti është gjithpërfshirës, drejtoresha për Ekonomi e Financa, Leonora Çerreti në deklarimin e saj, tha se natyrisht që ka qenë e pamundur të përfshihen të gjitha kërkesat e opozitës, por disa sosh tashmë janë pjesë e projektit.

Në anën tjetër, kreu i Komunës, Mytaher Haskuka, që për dallim nga herët tjera, sidomos nga seanca e fundit e jashtëzakonshme për arsim,  kur qëndroi vetëm një pjesë të seancës, kësaj radhe ishte prezentë, fajësoi neglizhimin e kërkesave të komunës së Prizrenit nga instancat qendrore. “Që dy vjet nuk janë votuar në qeveri 38 kërkesa për shpallje të interesit nacional të disa parcelave, derisa Bali Muharremajt të Suharekës kërkesat i janë votuar brena 30 ditësh”, tha ai,

Ndaj një deklarimi të tillë reagoi shefi i grupit të AAK-së, Baldedaj duke i kërkuar të jetë real në fjalën publike, kur dihet

Por, sqarimet e pushtetarëve, të cilët siç u duk nuk kanë më shumë se 11 vota nga 41 kuvendarët nuk bindën opozitën, që në fund i kërkoi autoriteteve të reflektonin me ndërhyrje në projekt-propozim për të votuar.

Ndryshe, sipas ligjit, deri më 30 shtator, Kuvendi i Komunës duhet të ketë shqyrtuar, nëse është e nevojshme edhe ndryshuar, miratuar dhe dorëzuar propozim-buxhetin komunal në Ministrinë e Financave.

Ndryshe kjo është mbledhja e IV-të (katërt) e rregullt për vitin 2020 e Kuvendit të Komunës së Prizrenit./GazetaePrizrenit.net

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.