27-11-2024

Ja si i zbuloi IPK policët kufitarë që dyshohen për korrupsion

Policët kufitarë kanë qenë përsëri cak i një aksioni të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, IPK ka filluar një operacion të gjerë, të koduar me emrin “Pika 2”, që i ka paraprirë një hetim rreth njëvjeçar, ku janë aplikuar edhe masat e fshehta.

Aksioni është kryer pas dyshimeve për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe nën udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit. Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u [Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë] dhe zyrtarët e AMP-së, Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri)”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Ndryshe, në gjysmën e muajit të kaluar, Policia e Kosovës arrestoi 48 policë nën dyshimet për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ata u arrestuan në pikat kufitare në Qafë Prush dhe Morinë, pika këto që lidhin Kosovën me Shqipërinë, përcjell Gazeta Sinjali.

Disa prej tyre dyshohen për marrje të ryshfetit me qëllim që t’iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme. Dyshohet se ata kanë marrë me qindra euro si ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë.

Asnjë koment

Comments are closed.