19-04-2024

Japin mbrojtjen e tyre Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi, të akuzuar sa ishin drejtorë të Financave në Komunën e Prizrenit

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, kanë dhënë mbrojtjen e tyre Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi, të akuzuar për korrupsion në kohën sa ishin drejtorë të Drejtorisë së Financave në Komunën e Prizrenit.

I pari që dha dëshminë ishte Zenel Ahmetaj, cili deklaroi se nga janari e deri në dhjetor të vitit 2015 ishte zyrtar kryesor financiar në Drejtorinë e Financave në Komunë e Prizrenit dhe se gjatë kësaj periudhe ka kryer edhe funksionin e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Financave, mirëpo nuk ka pasur kurrfarë vendimi me shkrim për mbajtjen e kësaj pozite, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje i akuzuari Ahmetaj, deklaroi se në fillim të vitit 2015 i ka shkuar e gatshme për ta nënshkruar kontrata me televizionet lokale në Prizren, ku përmbajtja e kontratës ka qenë informimi opinionit publik për pagesat e tatimit në pronë dhe vlera e asaj kontrate ka qenë 300 euro në muaj, por që nuk e dinë se kush e ka caktuar këtë shumë pasi që kontrata i ka shkuar e gatshme.

Në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Pjetër Përgjoka se a ekziston një vendim i Kryetarit për shumën dhe mënyrën e pagesës, i akuzuari deklaroi se po ekziston një vendim i tillë dhe se ky nuk ka mundur ta ndryshoi atë vendim.

Në pyetjen e prokurorit Mehdi Sefa, se kush i nënshkruan kontratat në emër të Autoritetit Kontraktues, i akuzuari u përgjigj duke thënë së kontratat i nënshkruan zyrtari i prokurimit.

Ndërsa kur prokurori Sefa e pyeti se a ju lejohet të merrni një vendim të tillë për lidhje të kontratave edhe pse ekziston një vendim i kryetarit në bazë të cilit bëhet lejimi mjeteve për pagesë, mirëpo jo edhe anashkalimi i zyrës së prokurimit, i akuzuari deklaroi se nuk ka përgjigje.

image0 (6)

Pas përfundimit të mbrojtjes së të akuzuarit Zenel Ahmetaj, në sallë për të dhënë mbrojtjen e tij u paraqit i akuzuari Ertan Simitiqi.

I akuzuari Simitqi, duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokatit Durim Nevzati deklaroi se ai pozitën e Drejtorit të Financave e ka marrë në prill të vitit 2015 dhe se procedurën e nënshkrimit të kontratave me televizionet lokale e ka trashëguar sepse një procedurë e tillë ka ekizistuar që nga viti 2007.

Tutje i akuzuari deklaroi se procedura e nënshkrimit të kontratave është zhvilluar në atë mënyrë që, pas vendimit të kryetarit të komunës, drejtoria ka qenë e obliguar që t’i ekzekutojë ato vendime dhe t’i nënshkruaj ato kontrata, qëllimi i të cilave ka qenë sensibilizimi i qytetarëve për pagesat e tatimit në pronë.

Në pyetjen e prokurorit se kush i nënshkruan kontratat për shërbimet e caktuara me operatorët ekonomik, i akuzuari deklaroi se kryetari i komunës e cakton personin që duhet t’i nënshkruaj këto kontrata.

Tutje i akuzuari deklaroi se në bazë të vendimit për emërim si drejtor i financave, atij i është lejuar që t’i kryejë pagesat lidhur me reklamimin e spoteve për tatimin mbi pronë me televizionet dhe radiot lokale në Prizren.

Po ashtu, i akuzuari deklaroi se ai ka  pasur për obligim që t’i ekzekutojë vendimet e kryetarit të komunës.

Pasi që të akuzuarit dhanë mbrojtjet e tyre, avokatët mbrojtës, kërkuan që të kenë kohë të përgatiten për fjalët përfundimtare.

Pas deklarimit të avokatëve, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi njoftoi se seanca e sotme përfundoi ndërsa seanca e radhës do të mbahet me 14.01.2021 në ora 10:00.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Zenel Ahmetaj akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2015, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV “Opinion”, TV “Besa” dhe TV “Prizreni”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ahmetaj, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Ahmetaj gjatë periudhës kohore 25 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV “Opinionin”, në vlerë prej 300 euro në muaj dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën 20 janar 2015, deri me 31 dhjetor 2015, me TV “Besa”, kishte lidhur kontratë prej 300 euro në muaj, që për 12 muaj arrin shumën 3600 euro, si dhe për të njëjtën periudhë dhe me shumë të njëjtë, kishte lidhur kontratë edhe me TV “Prizrenin”, ku për të tre televizionet arrin shuma prej 11.800 euro në vit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Ertan Simitqiu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2016, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV “Opinion”, TV “Besa” dhe TV “Prizreni”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Simitqi, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese lidhur me sensibilizimin e opinionit publik rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën  Prizrenit.

Në aktakuzë thuhet se Simitqi gjatë periudhës kohore 1 janar 2016 e deri me 31 dhjetor 2016 kishte lidhur kontratë me TV “Opinionin”, në vlerë prej 300 euro në muaj dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën e njëjtë, kishte lidhur kontratat edhe me TV “Besa” dhe TV “Prizreni”, ku për të tre televizionet arrinte shuma prej 11.800 euro në vit.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.

Ndryshe, më 25 maj të vitit 2018, ish-drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ai akuzohej se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Administratës Komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.