Jasharaj: Në 90 për qind të shkollave nuk po zhvillohet mësim
Shumica e mësimdhënësve në Kosovë nuk kanë përfillur vendimin e Qeverisë së Kosovës që sot të punojnë, duke dëgjuar kështu thirrjen e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), që sot të pushohet për nder të festës së 28 Nëntorit.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK) Rrahman Jasharaj në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se në 90 përqind të shkollave në Kosovë nuk është duke u zhvilluar procesi mësimor.
“Jemi në komunikim me kryetar, diku 90 përqind e shkollave kanë respektuar vendimin e SBASHK-ut që të pushojnë. Në Prishtinë ka laramani, por edhe aty ku është duke u zhvilluar mësimi është numri i vogël i nxënësve. Ne kemi bërë thirrje të respektohet vendimi ynë dhe të pushojnë sipas kalendarit të MASHT-it”, pohoi ai.
Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte thënë se dita e hënë, 30 nëntor 2020, do të jetë ditë e rregullt e punës.
Sipas një njoftimi për media, në të gjitha institucionet shtetërore, në institucionet arsimore në të gjitha nivelet, do të punohet me orar të rregullt, në përputhje me masat anti COVID të ndërmarra nga Qeveria.
“Ky vendim vjen si solidarizim me të gjithë ata të cilët janë në linjën e parë të frontit me pandeminë Covid- 19, punëtorët shëndetësor, stafin mbështetës në institucionet shëndetësore, polici dhe inspektorat, të cilët janë duke punuar për disa muaj me radhë pa asnjë ditë pushimi. Për shkak të masave në kuadër të menaxhimit të situatës me pandeminë COVID-19, institucionet janë duke punuar me staf të përgjysmuar. Ndërsa të gjitha aktivitetet për shënimin e 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, do të zhvillohen nesër, poashtu në përputhje me masat e vendosura nga Qeveria”, thuhet në njoftim.
Por këtë vendim të Qeverisë nuk e kanë respektuar sindikalistët e arsimit.
Ata kanë deklaruar se punëtorët e arsimit dhe nxënësit e meritojnë dhe duhet të pushojnë të hënën për ta ndjerë sado pak atmosferën festive e për të lartësuar kujtimin për heronjtë e dëshmorët e kombit, që i sollën lirinë këtij trualli. /Telegrafi/