25-11-2024

Jasharaj: Nëse institucionet e duan arsimin siç po thonë, duhet ta bëjnë ligjin që ia pamundëson politikës përzierjen në arsim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBAShK), po e konsideron si problem tejet të madh rekrutimin e punëtorëve arsimor, duke i quajtur konkurse burokratike.

Kryetari i kësaj Sindikate, Rrahman Jasharaj, në një intervistë ka thënë se zëvendësimi me kuadro jo-adekuatë do të sjell probleme në arsim.

“Rekrutimi i punëtorëve të arsimit gjithmonë ka qenë problematikë, ngase është një procedurë kogja burokratike, shpallen konkurse pastaj institucioneve i duhen diku dy muaj për ta realizuar sepse ligjet e kanë bërë shumë komplekse këtë dhe ajo çfarë duhet të arrihet, se marrëveshja është dhe nëse papritur mbet një vend i zbrazët pune për arsye të ndryshme të lejohet që të merren kuadro nga ai kuadër i cili është në pritje dhe që ka konkurruar në konkurse por nuk është pranuar sepse në Kosovë kemi që për një vend janë 30-50 e më shumë”, tha Jasharaj.

“Zëvendësimi me kuadro jo-adekuatë do të na sjellë probleme. Shteti ka siguruar mjete që ata të zëvendësohen me kuadrat që janë në pritje dhe falë Zotit në Kosovë ka mjaft kuadro të reja, të përgatitur dhe është mëkat që ata të lihen në pritje e pa punë e të bëhen zëvendësime të ashtuquajtura brenda shkollave”.

Sipas tij, për shkak të pandemisë do ishte e mjaftueshme nëse arrihet të realizohet plan-programi mësimore deri në 70%.

“Do të jetë fitore e madhe që secili shtet ta mbyll këtë vit shkollor me sa më pak pasoja, me sa më pak të prekur, të vetëdijshëm se viti shkollor nuk është kryer në tersi sa duhet. Kemi dhe manualin i cili parasheh se do të jetë i kompensuar materia që punohet në shkolla do të thotë se është thënë që do të realizohet plan-programi, nëse arrihet të realizohet 70%”, u shpreh tutje ai për EO.

Ai shton se pas tejkalimit me pandeminë, ekspertët arsimorë kanë një punë të gjatë për të bërë analiza dhe të shikojnë gjendjen dhe pasojat në këtë sektor.

“Unë po them uroj që ta tejkalojmë betejën me Covid, dhe pastaj ekspertët me kokat e ftohta duhet të ulen dhe të bëjnë analiza duke mos tentuar ta hedhin fajin herë andej e herë këndej. Ne kemi një komunikim të vazhdueshëm nga larg në takimet që mbahen në vazhdimësi në unionin e sindikatave të Evropës, dhe edhe ata kanë ngritur alarm mbi telashet e arsimit”, shtoi kryetari i SBAShK-ut.

Ligjet mbi arsimin, Jasharaj konsideron se duhet, duke ia pamundësuar politikës ndikimin në arsim.

“Unë mendoj që në të gjithë infrastrukturën që ka të bëjë me arsimin, qoftë atë parauniversitar, dhe atë universitar duhet bërë ndryshime dhe të ecet me kohën”.

“Ajo që mendoj që institucionet nëse vërtet siç po thonë se e duan arsimin dhe si prioritet duhet të bëjnë ligje për t’ia pamundësuar politikës përzierjen direkte në arsim dhe duhet që shkollave dhe universiteteve duhet t’ua kthejmë autonominë”, përfundoi ai, në një intervistë për Ekonomia Online.

Asnjë koment

Comments are closed.