24-04-2024

Java tjetër mbledh studiuesit e gjuhës, të letërsisë e të kulturës

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në nisjen e edicionit të 38-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Studiues e studentë do të mblidhen së bashku që të merren me problemet e gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë përgjithësisht. Hapja solemne e Seminarit XXXVIII do të bëhet më 19 gusht 2019, në orën 11:00. Këtë vit janë mbushur 45 vjet qëkur është themeluar Seminari pranë Fakultetit të Filologjisë, kurse që nga viti 74 e deri më sot janë zhvilluar tridhjeteshtatë sesione, duke rikujtuar këtu vitet 95-96 dhe sesionet e Seminarit që janë mbajtur në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Seminari sivjet, me mbi 100 pjesëmarrës

Shkumbin Munishi, drejtor i Seminarit, për gazetën “Zëri” ka njoftuar se tashmë të gjitha përgatitjet janë finalizuar. Sipas tij, ky vit është një jubile i vogël, që tregon për një vazhdimësi të gjatë të Seminarit gjatë gjithë këtyre dekadave. “Praktikisht jemi në fazën e fundit të përfundimit të të gjitha përgatitjeve, për të filluar me edicionin e sivjetmë të Seminarit. Presim që nga dita e diel të vijnë seminaristët, gjitha përgatitjet janë bërë me kohë dhe të hënën në orën 11:00 do të bëhet hapja solemne e edicionit. Do të jetë edicioni i 38-të, por njëkohësisht sivjet bëhen 45 vjet qëkur ka filluar të organizohet seminari”, u shpreh Munishi. Ai po ashtu ka njoftuar se edhe këtë vit karakteristikë është numri i konsiderueshëm i seminaristëve pjesëmarrës, të cilët vijnë dhe përfaqësojnë nga vende të ndryshme të botës. Këtë vit organizatorët presin mbi 100 pjesëmarrës. “Do të jetë një numër i konsiderueshëm i seminaristëve pjesëmarrës, sikurse vitet e kaluara presim që seminaristët të vijnë nga shumë vende të botës. Sigurisht që do të jenë të pranishëm seminaristët që vijnë nga qendrat kryesore albanologjike të cilat ekzistojnë në botë, nga Polonia, nga Shën Petersburgu, nga Gjermania e me radhë. Presim t’i kemi rreth 100 pjesëmarrës, që do të jenë pjesëmarrës në kurset e gjuhës të cilat i organizojmë dhe në aktivitete të tjera të Seminarit, por njëkohësisht do të jenë edhe rreth 80 studiues që do të marrin pjesë në aktivitetet shkencore”, konfirmon për “Zërin” Munishi.

Ai më tutje ka shtuar se kanë pranuar mbi 70 aplikime dhe sipas tij pritet që të gjithë që kanë aplikuar e janë pranuar të jenë të pranishëm të prezantojnë.

Interesimi për gjuhën, letërsinë e kulturën nuk mungon

I pyetur për interesimin, Munishi thekson se ai ndër vite është konstant. Sipas tij, ka gjithnjë interesim, i cili nuk zbehet. “Interesimi është konstant, gjithnjë kemi interesim, i cili nuk bie. Ka një temp të rritjes, por Seminari vazhdon të jetë atraktiv për të gjithë ata të cilët duan të mësojnë gjuhën shqipe, duan të njohin kulturën e traditën e historisë shqiptare”, thekson ai.

Temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore (29 – 30 gusht 2019) janë: Gjuhësi – trajtohet tema “Struktura e shqipes aktuale”. Munishi njofton se ky sesion shkencor do të përfshijë gjendjen dhe përshkrimin e sistemit fonologjik dhe fonetik të shqipes aktuale; Gjendja dhe përshkrimi i sistemit morfo-sintaksor të shqipes; Gjendja dhe përshkrimi i sistemit leksiko-semantik dhe stilistikor të shqipes; Gjendja dhe përshkrimi i varieteteve aktuale të shqipes.

Në sesionin e letërsisë do të trajtohet tema: “Si ëndërrohet në letërsinë shqipe”, kurse Këshilli Drejtues ka sqaruar se ky sesion ka të bëjë me “Ëndrra romantike: individi dhe shoqëria në letërsinë shqipe; Alegoritë moderne të ëndrrës; Imagjinari modern në letërsinë shqipe mes ëndrrës dhe rêverie; Ligjërimi onirik si paradigmë stilistike; Ëndrra dhe letërsia fantastike; Ëndrra si “realitet” tjetër. Dhe sesioni i kulturologjisë do të trajtojë temën “Rrjetet sociale, politika dhe etika”, që përfshin llojet e rrjeteve sociale; Kultura në rrjetet sociale; Mediet në rrjetet sociale; Politika në rrjetet sociale; Etika në rrjetet sociale; Drejtimet e zhvillimit të rrjeteve sociale. “Këto janë temat kryesore të cilat do të shtjellohen nëpërmjet punimeve të ndryshme në sesionet që do të organizohen praktikisht në ditët e fundit të seminarit”, njofton Munishi.

Pos sesioneve shkencore, programi bazë i Seminarit XXXVIII përfshin edhe kurse intensive të mësimit të shqipes (tri nivele), ligjërata të gjuhësisë shqipe, ligjërata për letërsinë shqiptare, ligjërata për kulturën shqiptare, referime shkencore, ligjërata të përgjithshme, tryeza të rrumbullakëta, tryeza e doktorantëve dhe program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtari kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës.

Sipas Munishit, edhe pjesa sociale e Seminarit është komponentë e rëndësishme, e cila ka për qëllim që seminaristët t’i njohë me Kosovën, me bukuritë e saj. “Që seminaristët e huaj të familjarizohen me ambientin e Kosovës këtë vit sigurisht që do ta kemi një ekskursion dhe do të jemi në zonën e Rugovës, pra në bjeshkët e saj, kjo do të jetë një mundësi për të gjithë seminaristët e huaj ta shohin njërën prej pjesëve më të bukura që ka Kosova”, u shpreh ai.

Seminari, me një traditë disadekadëshe, është ngjarja kryesore e natyrës së vet, por sa i përket përkrahjes institucionale Munishi shprehet se në vitet e fundit kanë arritur një stabilizim të mbështetjes. Sipas tij, kjo falë dekanes së Fakultetit të Filologjisë Lindita Rugovës dhe angazhimit të Rektoratit, të cilët tashmë kanë krijuar një linjë të veçantë buxhetore në kuadër të Rektoratit, e cila është e dedikuar për t’i mbuluar aktivitetet e Seminarit. “Këto aktivitete mbulohen në mënyrë optimale. Natyrisht çështja e buxhetit është gjithnjë e diskutueshme dhe asnjëherë nuk është i mjaftueshëm, por megjithatë konsideroj se ka një stabilizim, njëkohësisht konsideroj se kemi mbështetjen e MASHT-it, i cili na ka mundësuar që seminaristët t’i vendosim në Qendrën e Studentëve. Në këtë mënyrë mund të them se mbështetja është stabilizuar dhe nuk është se kemi probleme serioze sa i përket organizimit. Në këtë mënyrë të gjitha aktivitetet e Seminarit janë të mbuluara”, njofton ai.

Rikujtojmë se Seminari i XXXVIII do t’i zhvillojë punimet në Prishtinë nga datat 19 e deri më 30 gusht 2019. Arritja e seminaristëve në Kosovë do të bëhet më 18 gusht 2019 (e diel). ZERI

Asnjë koment

Comments are closed.