25-04-2024

Javën e ardhshme fillon lirimi i hapësirave të uzurpuara të Hekurudhës

Pas arritjes së marrëveshjes gjyqësore në mes të komunës së Prizrenit dhe Infrakos-it (hekurudhat e Kosovës),të hënën është mbajtur një konferencë për medie nga drejtuesit e institucionëve përkatëse, për fillimin e realizimit të pjesëve të zotimeve të kësaj marrëveshje.

Pjesë e kësaj konference të përbashkët mediale, ishin kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, drejtori i Inspektoratëve, Islam Thaçi, ai i Urbanizmit, Fatmir Memaj,dhe drejtori i Infrakos-it , Agron Thaçi, me bashkëpunëtorë.

Në fillim foli kryetari Haskuka, i cili tha se ndër pikat më të rëndësishme të marrëveshjes me drejtuesit e Infrakos-it, është pika e 11-të ku komuna obligohet për lirimin e pronave të uzurpuara dhe largimin e objekteve tjera pa leje në hapësirat e Hekurudhës.

Drejtori i Infrakos-it, Agron Thaçi, pret që të fillohet me zbatimin e marrëveshjes në praktikë, dhe organet kompetente komunale duhet të jenë koshiente në largimin e pronave të uzurpuara, që më pas të bëhet revitalizimi i trases së Hekurudhës për të vënë në funksion lëvizjen e trenave pas një periudhe në Prizren. Ai tha gjithashtu se, Infrakos ka bërë 80 padi në organet e drejtësisë për uzurpim të pronës për dëmtim të saj si pasuri kombëtare ndaj individëve dhe subjekteve të ndryshme, dhe se presim që këto organe të thonë fjalën e vet në zbatim të ligjshmërisë.
Drejtori i Inspektoratëve, Islam Thaçi, tha se ky dikaster tashmë ka hartuar një plan konkret për intervenim, dhe se aksionet e para për lirimin e hapësirave të uzurpuara do të fillojnë nga data 17 shtator , ku për një periudhë të caktuar do të intervenohet nga stacioni i trenit në Prizrenit deri tek kyçja në Autostradë. Ai tha më tej se, tashmë edhe zyrtarisht janë njoftuar të gjithë ata që kanë objekte të ndryshme , rrethoja e baraka pa leje në hapësirat e hekurudhës, për këtë vendim të kësaj drejtorie në zbatim të marrëveshjes me Infrakos-in.

Kurse, drejtori i Urbanizmit, Fatmir Memaj, tha se asnjë objekt i ndërtuar me leje nga organet kompetente komunale , sipas evidentimeve të bëra, nuk ka të bëjë me uzurpim të pronës së Hekurudhave, por shtoi se lejet e tilla janë në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat, duke lënë shumë paqartësi rreth këtij problemi që i ka shkaktuar telashe të mëdha jo vetëm Infrakos-it por edhe komunës së Prizrenit.

Ndryshe, pas një denoncimi për uzurpim të pronës së saj në Prizren nga ana e Infrakos-it në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në muajin tetor të vitit të kaluar, kjo instancë e drejtësisë kishte marr vendim për masë të përkohshme, e cila kishte pezulluar Planin Zhvillimor Komunal dhe me këtë e kishte pamundësuar dhënien e lejeve të ndërtimit në gjithë territorin e Komunës së Prizrenit. Por, me 12 Qershor të këtij viti, ishte arritur marrëveshje mes komunës së Prizrenit dhe Infrakos-it për Pajtim Gjyqësor në Gjykatë, me ç‘rast ishte tërhequr padia dhe komuna e Prizrenit është zotuar për realizimin e obligimeve të dala nga takimet e mbajtura dhe të përcaktuara me këtë marrëveshje, ndërsa qytetarët prizrenas rifitonin prapë të drejtën për t’u pajisur me leje ndërtimore, nga e cila kishin qenë të privuar nga tetori i 2017-ës./tv prizreni/

Asnjë koment

Comments are closed.