28-11-2024

Jep dorëheqje nga Kuvendi Komunal i Prizrenit edhe një anëtar

Në përbërjen e Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit ka edhe një ndryshim, raporton Gazeta e Prizrenit.

Burime të portalit nga KK bëjnë të ditur se kuvendari, Hanefi Muharremi nga LDK, që në zgjedhjet e fundit lokale ishte edhe bartës i listës së këtij subjekti ka dhënë dorëheqje.

Ai do të zëvendësohet nga kandidati i radhës, që ndodhet në listën e pritjes nga LDK, për nga numri i votave, Haziz Hodaj (ish-kuvendar).

Pas konstituimit të KK-së, të dalë nga zgjedhjet e fundit lokale, përkatësisht për dy muaj ka pasur disa raste të dorëheqjes nga anëtarët. Të dorëhequrit janë kryesisht bartësit e listës së tri subjekteve politike: Kujtim Gashi (PDK), Lulzim Kabashi (AAK), Zafir Berisha (Nisma). Për shkak të emërimit në pozita udhëheqëse, po ashtu kanë dhënë dorëheqje edhe disa kuvendarë të tjetër, të cilët janë zëvendësuar me të tjerë nga listat e pritjes nëpër partitë e tyre.

Në fakt përbërja e tashme e organit më të lartë të Prizrenit jo vetëm që përbëhet nga disa anëtarë të rinj, të cilët janë ulur për herë në sallën komode të KK-së, por krahasuar me legjislaturat tjera edhe mosha e tyre është më e re.

Ndryshe, të martën që vjen KK do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme për çështjen e miratimit të buxhetit, pas rikthimit ditë më parë të kësaj pike nga ana e MAPL-së, ndonëse ishte miratuar në një nga mbledhjet e kaluara, por pa kaluar në Komitetin për Politikë e Financa (KPF). /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.