26-11-2024

Jep dorëheqje zëvendësministri i Kurtit nga Prizreni

Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Veliji përmes një njoftimi në profilin e tij në Facebook ka thënë se dorëheqja ka ardhur si shkak i mosmarrëveshjeve me Duda Baljen, me të cilën në të kaluarën kishin qenë pjesë në një parti politike.

Për shkak të mosmarrëveshjeve të thella që ekzistojnë prej kohësh me znj. Bale, po ju njoftoj se sot kam dhënë dorëheqjen nga posti i Zëvendës Ministres për Zhvillimin Rajonal. Fatkeqësisht, zonja Bale e pa “të ardhmen tonë” në metodat destruktive të rrënimit dhe degradimit të shoqërisë kosovare duke besuar se duhet të marrë një mandat tjetër për veten e saj përmes bashkëpunimit të pakushtëzuar me njerëz që nuk e mendojnë mirë vendin tonë!“, ka shkruar Veliji.

Veliji ka akuzuar Baljen se beson që do të marrë një mandat tjetër përmes “bashkëpunimit me njerëz që nuk e mendojnë të mirën e vendit”.

“Unë besoj se ne duhet të jemi më të zgjuar dhe më të fortë se ajo dhe politika e saj shkatërrimtare, e cila synon të na kthejë në vitet ’90 dhe të kthejë popullin tonë në mungesë shprese dhe paligjshmëri”, ka theksuar ai.

Rikujtojmë se një hulumtim i Insajderit i nisur muaj më parë pas një denoncimi publik ka zbuluar se zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji dyshohet se është përfshirë në një aferë ryshfeti. Insajderi kishte sjell audio-incizimet që dëshmojnë përfshirjen e tij në këtë aferë për një grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh.

“… a të ka kallëzu ai sa përafërsisht munet?”…se këta pa ju dhanë diçka nuk kryejnë punë”. Janë këto disa pjesë të bisedave që zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji i bën më një person (emër i njohur për Insajderin) e ku flasin për një aferë ryshfeti.

Zëvendësministri Veliji, i emëruar nga kryeministri Albin Kurti, në këto audio-incizime që i kishte siguruar Insajderi e që janë deponuar edhe në Policinë e Kosovës, flet për një grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh.

Megjithatë në fund Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte vendosur që ta mbyll hetimin kundër tij

Asnjë koment

Comments are closed.