Judah: Merkel e fundosi idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë

Publicisti dhe analisti britanik, Tim Judah, ka folur për idenë e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për TV N1, Judah vlerëson se ideja për ndryshimin e kufijve më nuk është në tavolinë, sepse beson që ajo u stopua në Berlin nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Kjo nuk do të thotë se tema e ndryshimit të kufijve nuk do të kthehet një ditë, sepse ajo është përmendur përgjatë 30 viteve të kaluara. Por, mendoj se aktualisht ajo është stopuar”.

Ai tha se shumica e njerëzve që njeh janë të ndarë rreth kësaj çështjeje. Judah vlerëson se opsioni i ndryshimit të kufijve do të kishte pasoja negative për tërë rajonin.

“Mendoj se nuk ia vlen të preken kufijtë, sepse ky është një rrezik i madh. Dhe, aktualisht kjo më nuk është në opsion”, tha ai./kosovain